Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi ditën e mërkurë se qeveria e tij nuk do të udhëheqë një program kursimesh për të vendosur nën kontroll buxhetin, “pasi serbët nuk kanë asgjë se çfarë të kursejnë”.

Gjatë Forumit të Manaxhimit Ekonomik të Europës Juglindore, të mbajtur në Beograd, Daçiç tha se e vetmja “zgjidhje për qeverinë e tij është ajo e krijimit të një cikli të ri investimesh, të cilët do të rindezin motorin e ekonomisë serbe”.

“Me paga dhe pensione të ulta si ato në Serbi, është shumë e vështirë që të realizosh një politikë kursimesh dhe shkurtimesh. Për më tepër, është e pamundur të gjesh një model ekonomik në ndonjë shtet tjetër apo në të kaluarën që të portretizojë si duhet situatën në të cilën ndodhemi”, u shpreh Daçiç.

“Mbi gjysmë milionë pensionistësh paguhen vetëm 120-130 euro në muajë (15 mijë dinarë), një milionë prej tyre rreth 160-170 euro. Ulja e pensioneve do të ishte një terapi për vdekjen e pacientit, asgjë tjetër”.

Në fjalimin e tij, kryeministri theksoi se avantazhet e ekonomisë serbe janë bujqësia, industria ushqimore dhe energjia, duke theksuar se investimet e reja duhet të fokusohen në këto sektorë.

Duke shpjeguar krizën e financave serbe, Daçiç shtoi se në vitin e shkuar, bankat e huaja tërhoqën 1,5 miliardë euro nga bankat serbe, çka nuk është e paligjishme, por që ngre pyetje në lidhje me përgjegjësinë sociale.

Top Channel