Dialogu eventual me Serbinë, koalicioni i përfolur me AAK-në, privatizimi në Kosovë dhe zgjedhjet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ishin temat e mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, gjatë së hënës, që përfundoi në mbrëmje pas më shumë tri orë diskutimesh.

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë para mediave se kjo mbledhje ka ardhur pas përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me ç’rast i ka falënderuar te huajt për angazhimin e tyre.

Ndërkohë i pyetur nëse është diskutuar edhe për çështjen e koalicionit të përfolur me AAK-në, Thaçi dha këtë përgjigje:

“Është diskutuar për funksionimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës. Është diskutuar për funksionimin e Parlamentit, të Qeverisë, Institucioneve Lokale, natyrisht për mundësinë e përmirësimeve aty ku ka lëshime dhe dobësi, por do të ketë mbledhje të rregullta për cdo cështje që është ngritur”, tha Thaçi..

Ndërkaq, i pyetur për deklarimin e zëvëndëskryeministrit Behgjet Pacolli se atij i janë kërkuar para nga ish-zëvëndës ministri i Financave, Astrit Haracia, për të zgjidhur problemin e Hotel Grand në favor të tij, Thaçi nuk ka dashur të komentoje.

Zëvëndësi i kryeministrit Thaçi në Qeveri por edhe në parti, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk është marrë ndonjë qëndrim për këto çështje, por vetëm është formuar një komision që do të drejtohet nga lideri i PDK-së, i cili do të nxjerrë rekomandime për këto tema të cilat do t’ia dërgoj Kryesisë së PDK-së.

Top Channel