Përurohet hidrocentrali i Ashtës

18/09/2012 00:00

Në zonën e Ashtës, në Shkodër, është vënë në funksionim të plotë Hidrocentrali i Ashtës, koncensioni i parë në fushën e energjisë hidrike, i dhënë nga qeveria shqiptare për dy prej kompanive më të mëdha të energjisë në Austri.

Ajo me të cilën krenohen austriakët dhe shqiptarët është përdorimi për herë të parë në Ashtë i teknologjisë matrix, që përbëhet nga disa turbina të vogla, sa një kabinë telefoni dhe që bën të mundur shfrytëzimin efikas të energjisë hidrike. Me investimin prej 200 milionë eurosh, austriakët nuk u treguan aspak modestë për risinë që ofrojnë në tregun energjitik shqiptar.

Dietmar Reiner, energji “Ashta”: „Ne jemi krenarë për atë që kemi arritur vetëm në 30 muaj, duke ndërtuar hidrocentralin më të madh në botë me turbina matrix.

Peter Layr, EVN-AG: Hidrocentrali Ashta 1 është një investim për të ardhmen e Shqipërisë duke furnizuar me energji elektrike të rinovueshme 100 mijë familje. Është një kontribut i madh edhe për të ardhmen e furnizimit me energji të Europës.

Wolfgang Anzengruber, VERBUND-AG: Ashta është investimi më i madh energjitik në tregun shqiptar në 30 vitet e fundit dhe një kontribut i rëndësishëm për sigurimin  e furnizimti të vendit me energji elektrike.

Në Shqipëri po investojnë në fushën e energjisë së rinovueshme edhe kompani të tjera austriake dhe për përfaqësuesit politikë të të dy vendeve, ky është një sinjal pozitiv për ekonominë edhe në kohën e krizës globale.

Kryeparlamentarja austriake, Barbara Prammer: Ky është një projekt që flet për një besim të ndërsjelltë, një besim të ekonomisë së energjisë austriake në ekonominë shqiptare, por edhe një besim të Shqipërisë në seriozitetin e sipërmarrjeve austriake.

Sali Berisha: EVN është lider në Austri dhe në Europë në fushën e energjisë së rinovueshme. Përpjekjet e tyre të përbashkëta, respekti e besimi i tyre tek Shqipëria e shqiptarët bënë që ne të inaugurojmë sot, investimin më të madh në fushën e energjetikës në 30 vitet e fundit. Por, njëkohësisht, kjo përbën një etapë të rëndësishme në realizimin e një prej projekteve më ambicioze në historinë e këtij vendi, të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon.

Nga Hidercentrali i Ashtës do të prodhohen cdo vit 240 milionë kilovat/orë energji elektrike dhe pas periudhës 35 vjecare të koncensionit, hidrocentrali do të jetë pronë e Shqipërisë.

Sipas kontratës, e gjithë energjia e prodhuar në Ashtë do të blihet për 15 vitet e para nga Korporata Energjitike Shqiptare, duke i siguruar tregut vendas një burim të qëndrueshëm energjie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB