Kurdët sulmojnë Turqinë me raketa

18/09/2012 15:25

Rebelët kurdë vranë të paktën katër ushtarë turq dhe plagosën të paktën 50 të tjerë, në një sulm me raketë ndaj një karvani ushtarak në një krahinë lindore.

Lajmi u konfirmua të martën nga burime zyrtare. Shumica e të plagosurve ndodheshin në një autobus i cili mori flakë, pasi u qëllua në rrugën midis krahinës së Bingolit dhe Musit.

Të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital të zonës, por disa prej tyre janë në gjendje kritike, duke bërë të mundshëm rritjen e bilancit tragjik në orët e ardhshme.

Një zëdhënës i qeverisë u tregua i shpejtë për të fajësuar për këtë sulm Partinë e Punëtorëve Kurdë, një organizatë terroriste sipas Ankarasë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Sulmi ndodhi një ditë pasi kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, publikoi të dhënat e rreth 500 militantëve kurdë të vrarë në një muaj ofensivë të ushtrisë në zonat lindore të vendit, ku është përqendruar popullsia kurde.

Mbi 40 mijë persona kanë humbur jetën që prej vitit 1984, kur PKK u formua dhe shpalli një luftë ndaj Ankarasë zyrtare, me qëllimin e krijimit të një shteti të pavarur kurd.

Top Channel