Kinë, protesta të reja anti-Japoni

18/09/2012 10:45

Tensioni është i lartë mes Kinës dhe Japonisë, ndërkohë që protesta të reja anti-japoneze kanë nisur në Kinë në lidhje me ishujt e diskutueshëm dhe për përvjetorin e “incidentit të Mukdenit”.

Mijëra protestues janë mbledhur përpara ambasadës japoneze në Pekin përballë policisë anti-turmë që është vendosur kordon në rrugë.

Më 18 shtator 1931, ushtarët japonezë hodhën në erë një segment hekurudhor në Mançuria, duke fajësuar disidentët për ngjarjen.

E njohur ndryshe si “incidenti i Mukdenit”, ngjarja më vonë u konsiderua si një pretekst për pushtimin e pjesës veri-lindore të Kinës.

Protestuesit jashtë ambasadës ditën e martë kanë brohoritur parulla dhe kanë hedhur shishe plastike ndaj ndërtesës.

Protesta e sotme vjen pas ditësh të tëra protestash që nisën javën e kaluar, që kanë goditur edhe bizneset japoneze në Kinë, si kompanitë ‘Panasonic’ dhe ‘Canon’, që kanë ndërprerë operacionet.

Teksa tensionet janë rritur, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta mbërriti të hënën në Pekin për të diskutuar me homologun e tij dhe liderë të lartë kinezë.

Ai nuk e përmendi çështjen e ishujve, por bëri thirrje për kontakte më të ngushta në fushën e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Top Channel