Egjipti, urdhër arresti për filmin

18/09/2012 19:35

Pas kërcënimeve, përleshjeve e të vrarëve në protesta në botën islamike, vargu i gjatë i reagimeve të ashpra ndaj filmit ofendues për Profetin Muhamed, ngrihet tani në nivel institucional.

Prokuroria e Përgjithshme Egjiptiane ka lëshuar një mandat-arresti në emër të shtatë të krishterëve koptë, mes të cilëve dhe personi i menduar si regjisori i filmit, Basseley Nakoula dhe Terry Jones, priftit protestant që dogji në 2010-tën kopje të Kuranit.

Organi i akuzes shpjegoi se në total janë tetë persona, shtatë burra e një grua që akuzohen për dëmtim të unitetit kombetar, për fyerje dhe sulm publik ndaj islamit si dhe përhapje të informacioneve të rreme.

Dënimi maksimal për akuzat e ngritura ndaj tyre është ai me vdekje.

Më herët, Al-Kaeda në magrebin islamik i drejtoi ithtarëve një apel dhune: “Ndiqni shembullin e sulmit ndaj konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Benghazi të Libise e vriste të gjithë ambasadorët amerikane”, tha grupi terrorist. “I përgëzojme vëllezërit luftëtarë muslimanë që mbrojten nderin e Profetit e u themi se vrasja e ambasadorit ishte dhurata më e mirë që mund t`i bëhej kësaj qeverie arrogante e të padrejtë”, lexohet në deklaraten e krahut të armatosur të Al-Kaedës në veri të Afrikes.

Pas kësaj vjen thirrja shokuese: “U kërkojmë të rinjve muslimanë të ndjekin shembullin e luanëve të Benghazit, të ulin flamujt në ambasadat e tyre e t`i vënë flakën përpara se t’i vrasin ambasadoret e përfaqësuesit amerikane apo t`i dëbojne”.

E ndërsa protestat kundër filmit polemizues vazhdojnë të shtrihen, Sekretarja e Shtetit, Hilary Clinton përsëriti edhe një herë qëndrimin e Uashingtonit që e kundërshton me forcë përmbajtjen dhe mesazhin e saj.

“Angazhimi i Amerikës për tolerancë fetare shkon prapa në fillimet e kombit tonë  dhe siç e dini ne jemi një vend për njerëz të të gjitha feve, shumë prej të cilëve erdhën në këtë vend për të drejtën për të ushtruar fenë e tyre, duke përfshirë, natyrisht, miliona myslimanë “, tha shefja e diplomacisë amerikane.

Clinton shtoi se “qëllimi cinik i videos per te denigruar nje fe te madhe e per te shkaktuar zemerim, eshte mese i qarte dhe se nuk duhet rene pre e provokimeve”.

Top Channel