BE-Iran, bisedime për programin bërthamor

18/09/2012 15:15

Përgjegjësja për marrëdhëniet me jashtë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, do të mbajë të martën bisedime me kryenegociatorin iranian për çështjet bërthamore, Saeed Jalili, në lidhje me programin nuklear të shtetit aziatik.

Një zëdhënës i baroneshës Ashton deklaroi se “takimi i caktuar në Stamboll është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur një mirëkuptim me Iranin”.

Në një deklaratë të Teheranit zyrtar, shkruhej se Jalili do të “theksojë edhe një herë më shumë të drejtën e vendit për të zhvilluar kapacitete bërthamore për arsye paqësore”.

Në qershor, bisedimet midis Iranit, pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB dhe Gjermanisë përfunduan pas asnjë marrëveshje.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u shpreh atëherë se propozimet e Teheranit nuk “ishin të bindshme dhe se garancitë për angazhimin serioz në bisedime mungonin”.

Një përgjegjëse e Departamentit të Shtetit, shtoi se takimi i së martës pritet me interes për të parë nëse iranianët janë të gatshëm të sjellin propozime të reja.

Top Channel