Afganistan, NATO redukton operacionet

18/09/2012 08:45

Misioni i NATO-s në Afganistan ka njoftuar se do të reduktojë
operacionet e përbashkëta me forcat afgane të sigurisë tani e tutje.

Komanda e ISAF në Afganistan citoi një rritje të sulmeve të ushtarëve vendas ndaj forcave të NATO-s dhe ngjarje të lidhura me reagimet ndaj filmit anti-Islam si motiv të këtij vendimi.

Të paktën 51 trupa të NATO-s janë vrarë nga ushtarët afganë që nga fillimi i vitit, 15 prej të cilëve vetëm në muajin gusht.

Operacionet e përbashkëta tani do të drejtohen në nivel batalionesh, që do të reduktohen gradualisht ditë pas dite, ka thënë korrespondenti i BBC.

Disa misione me përmasa më të vogla mundet ende të zhvillohen, por do të shqyrtohen më parë nga komandantët rast pas rasti.

Gjithësesi, Ministria afgane e Mbrojtjes deklaroi se nuk ka marrë ende një shkresë zyrtare për këto ndryshime, duke shtuar se krerët nga të dyja palët janë duke zhvilluar takime.

Njoftimi vjen pasi të paktën 12 persona mbetën të vrarë në një sulm
vetëvrasës në një autobus të vogël që po transportonte të huaj në afërsi
të kryeqytetit afgan, Kabul.

Sulmi ndodhi në rrugën kryesore që të çon në aeroportin ndërkombëtar.
Grupi i guerrilasve afganë, Hezb e Islami ka marrë përsipër
përgjegjësinë për shpërthimin, që sipas tij është një përgjigje ndaj
videos anti-Islam.

Top Channel