25 milionë dollarë për kokën e Assad

18/09/2012 16:05

Kryengritësit sirianë të Ushtrisë së Lirisë përgënjeshtruan ditën e martë raportimet se ata kanë vendosur një shpërblim për këdo që do të dorëzojë të gjallë apo të vdekur presidentin e vendit, Bashar al-Assad.

Megjithatë, ata konfirmuan se një ofertë e tillë është bërë nga një grupim tjetër opozitar, i paangazhuar në bllokun kryesor të rebelëve.

Në një lidhje telefonike nga Turqia për “CNN”, zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Ushtrisë së Lirisë Siriane, Louai Miqdad, deklaroi se: “ULS nuk ka lidhje me grupet siriane në opozitë në Egjipt, të cilat e quajnë veten gjithashtu si ne dhe që kanë vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për kokën e Assad”.

Ishte Agjensia Turke “Anadolu” e para që publikoi lajmin për shpërblimin, duke saktësuar se shuma është vendosur në dispozicion nga një grup biznesmenësh sirianë, të paidentifikuar për arsye sigurie.

Prej një viti e gjysmë, Siria është përfshirë në një luftë civile të përgjakshme, që i ka kushtuar jetën 28-35 mijë sirianëve, ndërsa ka shpërngulur nga banesat e tyre mbi 1,5 milionë banorë.

Megjithatë, raporti i fundit i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB fajësoi të dyja palët ndërluftuese për krimet e luftës dhe egërsinë me të cilën po luftohet në vend.

Sipas raportit në fjalë, të dyja palët konsiderohen “përgjegjëse për masakra mbi civilë, mosrespektimin e ligjeve të luftës dhe ekzekutimin pa gjyq të ushtarëve të dorëzuar apo të kapur rob”.

Top Channel