Sulmet e infiltruara në Afganistan

17/09/2012 21:25

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta i ka përshkruar sulmet e anëtarëve të forcave afgane të sigurisë ndaj trupave të koalicionit si “gulçimi i fundit” i talebanëve.

Forcat afgane po kontrollojnë me imtësi oficerët dhe ushtarët e tyre dhe kanë marrë masa duke shkarkuar qindra prej tyre, bëjnë të ditur burime pranë Koalicionit.

Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi se transferimi i kontrollit të sigurisë tek forcat afgane në vitin 2014 mbetet sipas planeve.

Ndërkohë, një tjetër sulm i tipit “jeshil ndaj blusë” u raportua mbrëmjen e së dielës. Një ushtar afgan i drejtoi armën e tij një automjeti që dyshohej se drejtohej nga ushtarë të NATO-s në bazën e përbashkët ushtarake të provincës së Helmandit, Camp Garmser.

Ai plagosi lehtë një punonjës civil të huaj para se të çarmatosej dhe të arrestohej nga një ushtar tjetër afgan. Nga qelia ai tha se kishte menduar se po qëllonte trupat aleate.

Që nga fillimi i vitit në Afganistan ka pasur të paktën 51 vrasje të këtij lloji, krahasuar me 35 raste të verifikuara vitin e kaluar. Ndërkohë, nuk kanë munguar sulmet në forma të tjera, që janë bërë edhe më efikas.

Javën e kaluar, në një sulm ndaj bazës Camp Bastion, guerrilasit talebanë shkatërruan 6 avionë amerikanë të tipit “Harrier” dhe dëmtuan dy të tjerë, si dhe vranë dy marinsa dhe shkatërruan ndërtesat.

Top Channel