SHBA, rikthehet “Occupy Wall Street”

17/09/2012 23:15

Pas një viti, aktivistët e lëvizjes  “Zaptimi i Wall Street-it” janë rikthyer në zemrën financiare të Nju Jorkut për të shënuar përvjetorin e nismës me atë që është dhe motoja e saj:  kundërshtimi i kapitalizmit.

Pas ndarjes në disa grupe të vogla për të shmangur kordonin e policisë që bllokonte rrugët përreth bursës, rreth 1.000 vetë u mblodhën në Bowling Green, ku ndodhet simboli i tempullit të finances amerikane.

Thirrja e organizatorëve të tubimit ishte ndalimi i trafikut në qendër të Nju Jorkut. Policia arrestoi disa nga protestuesit e ulur në trotuarin në hyrje të Wall Street-it.
 
Edhe pse qëllimi ishte mbajtja e një tubimi paqësor, ndërhyrja e policisë dhe arrestimi i 100 protestuesve, do t`i jepte ngjyrim tjetër. Nje prej sloganeve të preferuara ishte “Nju jorku i përket njujorkezëve“.

Lëvizja “Occupy Wall Street” nisi një vit më parë si protestë kundër lakmisë së korporatave për t’u pasuruar dhe pabarazive ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Protestat u bënë shtyse për një varg reformash, si në sistemin bankar, financimin e fushatave dhe çështje të mjedisit.

Top Channel