OKB fut Sirinë në listën e krimeve të luftës

17/09/2012 16:05

Një komision hetimor i OKB-së mbi abuzimin e të drejtave të njeriut në Siri ka hartuar një listë të re sekrete për sirianët dhe njësitë e dyshuara për krime lufte.

Kryetari i komisionit, Sergio Pinheiro deklaroi se ata kanë mbledhur “prova të jashtëzakonshme dhe vendimtare”. Ai gjithashtu i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta dërgojë çështjen e Sirisë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës.

Ndërkohë, grupimi Human Rights Watch ka deklaruar se rebelë të armatosur po torturojnë të burgosur dhe po kryejnë ekzekutime në masë.

Por shkeljet e bëra nga trupat qeveritare janë më të përhapura, shtoi HRW, duke dhënë alarmin për praninë islamike. Komisioni hetimor i pavarur mbi Sirinë u ngrit nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së vitin e kaluar, pas përshkallëzimit të dhunës.

Në gusht, komisioni raportoi se shkeljet sistematike të të drejtave, përfshirë vrasjen, torturën dhe dhunën seksuale, janë autorizuar nga nivelet më të larta të qeverisë siriane.

Forcat e opozitës fajësohen gjithashtu për krime lufte, por jo në të njëjtën formë me ato të kryera nga trupat besnike të regjimit të presidentit Bashar al Assad.

Komisioni përfundon gjithashtu se forcat e qeverisë dhe milicitë pro-qeveritare janë përgjegjëse për masakrën e 108 personave në Houla, në muajin maj.

Top Channel