Libi, vrasja e ambasadorit, 50 të arrestuar

17/09/2012 16:10

Autoritetet libiane arrestuan mbi 50 persona në lidhje me sulmin e dhunshëm të një jave më parë mbi konsullatën amerikane në Bengazi, sulm në të cilin mbeti i vrarë ambasadori Chris Stevens dhe tre diplomate te tjere.

Lajmi u bë publik nga kryetari i Parlamentit Libian, Mohamed Magarief, i cili duke komentuar arrestimet, deklaroi për “CNN” se “tashmë nuk ka dyshime që sulmi ishte i planifikuar”.

Magarief shtoi se “një pjesë e të arrestuarve nuk janë shtetas libianë. Është e qartë se sulmi ndaj selisë diplomatike amerikane u realizua nga persona të huaj, të cilët hynë në Libi përara disa muajsh dhe ky akt kriminal ka qenë i planifikuar prej tyre që në momentin e mbërritjes”.

Ndonëse nuk është ende e qartë se cila organizatë ndërmori sulmin, kryetari i Parlamentit Libian theksoi se të dyshuarit “janë të lidhur me al-Kaedën ose organizatat e tjera rajonale filial të saj”.

E dërguara amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Susan Rice, nga ana e saj u shpreh se “ekzistojnë prova për një fillim spontan të protestës, por ajo u shfrytëzua prej ekstremistëve, që përdorën përshtjellimin përpara ambasadës për ta sulmuar atë”.

Top Channel