Irani: Terroristë të infiltruar në ANEB

17/09/2012 21:05

Shefi i programit bërthamor në Iran ka paralajmëruar se agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore, ANEB, mund të ketë në radhët e saj terroristë të infiltruar dhe sabotatorë.

Fereydun Abbasi-Davani deklaroi se disa shpërthime kanë shkaktuar ndërprerjen e linjave energjitike në një impiant të pasurimit të uraniumit muajin e kaluar, vetëm pak kohë pas vizitës së inspektorëve të ANEB-së.

Ai gjithashtu akuzoi agjencinë e Kombeve të Bashkuara që mbikëqyr aktivitetet bërthamore për keqmenaxhim dhe për influencim nga “shtete të caktuara”.

Ditën e enjte ANEB kritikoi sërish Iranin për faktin se vazhdon të refuzojë kërkesën për ndërprerjen e pasurimit të uraniumit, që thuhet se kohët e fundit është intensifikuar.

Të 35 vendet anëtare shprehën shqetësime serioze se Irani vazhdon të sfidojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon ndërprerjen e proçesit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi të dielën se Irani ndodhet 6 ose 7 muaj larg pasurimit në kuotën 90 për qind, që i duhet për të prodhuar bombën atomike.

Netanyahu tha për mediat amerikane se e vetmja mënyrë për të ndalur këtë proçes është që Uashingtoni të vendosë një “vijë të kuqe”, kalimi i të cilës do të sillte ndërhyrjen ushtarake.

Teherani zyrtar nga ana e tij insiston se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe paralajmëron se do të përgjigjet në rast se sulmohet ushtarakisht.

Top Channel