Gjenerali iranian: Forca “këshilluese” në Siri

17/09/2012 15:55

“Irani ka trupa në Siri që shërbejnë në rolin e “këshilluesve””, pranoi komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane ditën e hënë, sipas agjensisë gjysmë zyrtare “Fars”.

Gjenerali Mohammad Ali Jafari, në deklaratën e tij pranoi se njësitë “Kuds”, njësitë elitë brenda Gardës Revolucionare kanë zhvilluar prej kohësh akvitetet në Siri dhe Liban.

”Një numër shumë i vogël i forcave të Kudsit në të shkuarën kanë shërbyer jashtë vendit, por jo në operacione luftimi. Misioni i tyre është përqendruar në ndarjen e përvojës së tyre ushtarake me forcat aleate”, u shpreh Jafari për “Fars”.

Në lidhje me qëndrimin e Iranit nëse një ndërhyrje e huaj mbi Sirinë do të verifikohet, Jafari theksoi: “Nëse Siria do të sulmohet, atëherë vendimi i Iranit për t’u përfshirë ushtarakisht do të ndikohet nga rrethana të shumta dhe të paparashikueshme”.

Irani është aleati më i afërt i regjimit të Bashar al-Assad, regjim të cilin sipas Jafarit, “Teherani është duke e mbështetur shpirtërisht dhe nëpërmjet këshillave të vlefshme”.

Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Iraniane hodhi poshtë këtë pretendim, duke theksuar se “Teherani nuk përfshihet në çështjet e vendeve të tjera sovrane dhe se asnjë forcë ushtarake nuk është dërguar për të asistuar palët ndërluftuese në Siri”.

Top Channel