Ilir Yzeiri – Qysh në Antikitet është shtruar çështja e dallimit dhe e formave të ndryshme të regjimit.
Platoni dhe Aristoteli kanë ndërtuar një klasifikim të qeverisjes sipas shfaqjes së sovranitetit. Në bazë të këtij parimi, thonë ata, dallojmë tre tipa qeverisjeje: mbretëri, aristokraci dhe demokraci, si dhe tri forma të korruptimit të tyre, që janë tirania, oligarkia dhe propaganda. Në fakt, kriza e rëndë dhe e thellë që po kalojmë ne nuk është vetëm shenjë që karakterizon Shqipërinë. Korrupsioni, shkatërrimi i sistemit gjyqësor, hajdutëria dhe deformimi i rregullave të lojës përmes rrëmbimit të pushtetit, janë dukuri që po shfaqen edhe në vende të tjera të ish-Lindjes komuniste, si në Rumani, Ukrainë, Gjeorgji, Bullgari e në ndonjë vend tjetër. Të gjitha këto vende po dëshmojnë se nuk janë në gjendje të instalojnë sistemin demokratik. Ngjarja e fundit në rrugën e Sukthit, ku mbeti i vrarë ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, është fotografia që tregon sistemin tonë politik, në të cilin pushtetet, jo vetëm që nuk janë të ndara, por i gjithë sistemi rezulton i kalbur. I dyshuari për vrasjen e kryekomisarit ishte arrestuar dhe prokuroria, në të gjitha shkallët e gjykimit, kishte kërkuar dënim prej më shumë se 20 vjetësh heqje lirie. Mirëpo në shkallën e tretë të gjykimit, pikërisht në Gjykatën e Lartë, u shfaq kalbja e sistemit.
Jo rastësisht në atë shkallë gjykimi shfaqet emri i bashkëshortes së guvernatorit Fullani. Zonja Fullani, si relatore e çështjes, e rikthen për gjykim në Shkallën e Parë në Durrës dhe atje një gjyqtar ordiner e nxjerr të pafajshëm njeriun që qëlloi me kallashnikov mbi një shërbëtor të ndershëm të shtetit. Është e disata herë që Gjykata e Lartë e Shqipërisë është bërë si Meka e kriminelëve dhe që aty, të dënuarit për vrasje apo krime të tjera monstruoze marrin pafajësinë. Mirëpo emri i zonjës Fullani lidhet edhe me procesin më të bujshëm të korrupsionit në Shqipëri: me videon e ish-kryeministrit Meta. Pas këtij shërbimi, bashkëshorti i saj rimerr mandatin e dytë si guvernator i Shqipërisë dhe po në të njëjtën kohë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kërcënohet e fyhet dhe asaj i numërohen ditët se kur do të flaket nga Prokuroria. Ajo qeveri që riemëron për dy mandate një guvernator të zgjedhur nga socialistët, i tregon dhëmbët një drejtueseje tjetër të lartë që e zgjodhi vetë, vetëm pse ajo, sipas perceptimit të përgjithshëm, zbatoi ligjin në ngjarjen e 21 janarit dhe nuk u bë vegël qorre e qeverisë si zonja Fullani dhe bashkëshorti i saj.
Ky lloj sistemi e ka zhbërë demokracinë dhe pushtetet në Shqipëri nuk kontrollojnë njëri-tjetrin, por janë të gjithë në shërbim të oligarkisë që ka zaptuar vendin. Rasti i krimit makabër në Sukth tregoi edhe një herë se në Shqipëri institucionet e pavarura të drejtësisë nuk ekzistojnë më. Në qoftë se ka policë të ndershëm e kurajozë që duan të përplasen me krimin, ata duhet ta dinë se ai që i vret nuk është krimineli që kanë përballë, por sistemi i korruptuar i gjykatave dhe sidomos një pjesë e rëndësishme e Gjykatës së Lartë, e cila, pasi ruan nderin e humbur të zyrtarëve të korruptuar të këtij vendi, nuk e ka për gjë që të “bëjë ca lekë”, duke liruar lloj-lloj kriminelësh e banditësh nga burgjet. Duke u rikthyer te përcaktimi që bënte Aristoteli për qeverisjen, vëmë re se të tria format e korrupsionit të qeverisjes ndeshen edhe në Shqipëri.
Tirania në Shqipëri ndeshet ngado në formën e dhunës që ushtron një shumicë e thjeshtë, duke zaptuar të gjitha institucionet e këtij vendi dhe duke vënë dorë mbi të gjitha pasuritë e tij. Gjëja më e turpshme dhe më e neveritshme në këto ditë ishte takimi me orë të zgjatura në një nga sallat e Kuvendit të Shqipërisë i Komisionit të Legjislacionit, në të cilin u diskutuan propozimet e opozitës për ndërhyrje edhe në rregullimin e mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Orë të tëra debatesh dhe nga fillimi në fund një arrogancë prej provincialësh të pagdhendur dhe tirani mbi mendimet e opozitës. Ky takim mbahej pikërisht në ditën kur gjaku i policit të ndershëm Adem Tahiraj nuk ishte tharë ende. Krimi kishte goditur shtetin mu në zemër, pikërisht për shkak të kalbëzimit të sistemit të drejtësisë dhe ai takim do të duhej të vazhdonte me ditë e me net, me kokën ulur dhe me ndjenjë pendese të thellë, derisa të gjendej një zgjidhje që të fillojë reforma në sistemin më të korruptuar në këtë vend, që është drejtësia. Mazhoranca dhe spikerja e Kuvendit jo vetëm që nuk e kishin këtë shqetësim, por kërkonin me çdo kusht që ta deligjitimonin opozitën dhe të shfaqeshin si triumfatorë në një vend ku protagonizmi provincial është bërë i neveritshëm. Pyetja që bën çdo qytetar i këtij vendi është e thjeshtë: tani PD-ja dhe Ilir Meta i kanë të gjitha në dorë. Cila është platforma e tyre për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë institucionale dhe si mendojnë ata që ta reformojnë sistemin e drejtësisë?
Në këto gati tetë vjet të qeverisjes së Berishës, gjykatat jo vetëm që janë mpirë, por nuk kanë arritur të përfundojnë qoftë edhe një gjykim të vetëm me peshë. Personalisht kam respekt për të gjithë ata gjyqtarë, policë, prokurorë, avokatë e noterë, pedagogë e gazetarë që i rezistojnë tundimit për t’u bërë vegla e dikujt apo robër e makutër të parasë me çdo çmim. Të tillë ka plot dhe këtu nuk është as rasti dhe as vendi për të bërë një listë me ta. Dua të përmend, fjala vjen, atë që ndodhi pas vitit 1998, kur policia, prokuroria dhe gjykatat dhanë modelin e një sistemi dinjitoz, sepse u arrit që të kapeshin dhe të eliminoheshin Banda e Zani Caushit, grupi që ekzekutoi Azem Hajdarin, Banda e Lushnjës, Nehat Kulla, e plot të tjerë dhe për një shumicë të madhe u dhanë vendime me burg të përjetshëm. Atëherë që të gjithë kishim shpresë se shteti mund të funksionojë. Mirëpo me të riardhur në pushtet Sali Berisha, gjykatat tona janë mpirë dhe mjaft çështje të bujshme nuk arrijnë të mbyllen. Që nga dita kur Berisha kërcënoi prokurorin që po hetonte edhe djalin e tij në aferën e Gërdecit, sistemi i drejtësisë ra. Jo vetëm kaq, por drejtësia, në të shumtën e rasteve, është kthyer në një bursë ku liria fitohet ose shitet me euro. Kështu ne jemi të sunduar nga një oligarki, e cila përbëhet prej oligarkut të madh, qeveritarëve, gjyqtarëve, nëpunësve anekënd administratës, të cilët punojnë dhe përpiqen vetëm për një qëllim: të bëjnë lekë, t’i shërbejnë oligarkisë, të ruajnë e të mbrojnë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë edhe me djallin vetëm që të rrinë në pushtet. Oligarkia ka shfytyruar çdo ideal.
Kam parasysh me këtë rast një ngjarje që lidhet me Arben Imamin. Të gjithë e kujtojnë takimin e studentëve të dhjetorit me Ramiz Alinë. Në atë takim, mes studentëve ishte edhe Arben Imami. Po ta sjellësh në vështrim atë takim, të duket se kemi përballë dy botë: atë të kalburën, komuniste që përfaqësohet nga Ramiz Alia, dhe botën e lirisë e të demokracisë, të barazisë e të ligjit që përfaqësohet edhe nga Arben Imami. Sot, pas njëzet vjetësh, Arben Imami nxjerr ushtarë e policë dhe nuk lejon deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që të kontrollojnë veprimtarinë e tij. Qindra akuza e dyshime ka lëshuar opinioni e media për të. Por ai nuk tërhiqet. Tani secili mund të pyesë: cili është ndryshimi mes botës së Ramiz Alisë dje dhe asaj të Arben Imamit sot. Ramiz Alia iku nga kjo botë dhe më duket fëmijët e tij jetojnë në një pallat, ndërsa Arben Imami ka vilë dhe një apo dy apartamente në Bllok. Cilin sistem kemi ndërruar? Asnjë.
Kemi ndërruar një sistem komunist diktatorial me një tirani oligarkike, që ka si kult paranë dhe pasurimin me çdo kusht. Më në fund, Aristoteli thoshte se propaganda është karakteristikë e sistemit të korruptuar të qeverisjes. Këtu nuk dua të zgjatem, sepse ende nuk më është shuar e qeshura dhe trishtimi kur dëgjova Jozefinën që tha se rrugët tona o janë si të Gjermanisë ose më të mira. Në këtë rast m’u kujtua një shprehje e një filozofi gjerman, që thotë se kur budallenjtë shtohen, ata nuk e dallojnë më njëri-tjetrin, sepse në këtë fazë budallenjtë janë të lumtur…
Top Channel