Bashkimi i sindikatave të pavarura të Kosovës kërkon nga Kuvendi i Kosovës t’i thotë stop privatizimit të egër të ndërmarrjeve publike. 63 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin kundër privatizimit të Postës, KEK-ut dhe gjigantit metalurgjik Trepca.

Një iniciativë kjo e Bashkimit të sindikatave të pavarura por e cila ka gjetur mbështetjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i bashkimit të sindikatave të pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi tha se të hënën firmat e qytetarëve bashkë me vërejtjet e tjera për sa i përket procesit të privatizimit në Kosovë do t’i dërgohen parlamentit të Kosovës.

Arifi nuk mundi të bëjë publike kërkesat konkrete të BSPK-së drejtuar Kuvendit të Kosovës. Kjo për shkak se drafti i parë iu është dorëzuar partive politike në mënyrë që të harmonizohen qëndrimet.

Sindikalistët kosovarë paralajmërojnë greva dhe protesta nëse kërkesat e qytetarëve nuk merrën parasysh. Ndonëse në këtë konferencë nuk u fol për ditë dhe datë konkrete të protestës, në një komunikatë të lëshuar pasdite nga BSPK-ja thuhet kështu: “Nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në peticion, vullnetin e punëtorëve dhe sindikatave, ne si nismë e përbashkët e këtyre organizatave do të protestojmë fuqishme me datën 20 shtator 2012 për ta parandaluar nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe koncersiumit Limak-Çalik për shitjen e Rrjetit të Distribucionit të KEK- ut”.

Top Channel