Kryeministri serb Ivica Daçiç ka reaguar lidhur me kushtet e paraqitura nga Gjermania për anëtarësimin e Serbisë në BE, duke vlerësuar se ato nuk përbëjnë asnjë risi.

Gjatë një vizite të zhvilluar të shtunën në Vranje, Daçiç ka deklaruar se qëndrimi i Berlinit zyrtar është i njohur dhe ka theksuar se i takon Beogradit të tij se çfarë të ardhmeje dëshiron.

”Secili ka të drejtë të paraqesë mendimin e vet për këtë çështje. Ne jemi në kërkim të një zgjidhjeje se si të arrijmë integrimet evropiane, si të hyjmë në BE, pa qenë të detyruar të pranojmë se Kosova është shtet i pavarur. Ky do të jetë deri në fund qëndrimi ynë parimor”, ka thënë Daçiç.

Ai është shprehur se Serbia është e gatshme të bisedojë në çfarëdo lloj formati për të gjetur një zgjidhje të negociuar për këtë çështje, por nga ana tjetër ka theksuar se zgjidhja nuk mund të gjendet pa Serbinë.

“Nëse ajo zgjidhje është arritur dhe ne duhet vetëm të ulemi në tryezë dhe të themi ‘në rregull’, ne nuk do të pranojmë. Kështu nuk bëhet”, ka thënë Daçiç.

Kryeministri ka shtuar se zgjidhja duhet të gjëndet përmes bisedimeve konstruktive dhe jo përmes marrëveshjeve të kota, siç ishte sipas tij fusnota për Kosovën, e cila nuk i solli asnjë dobi Serbisë.

“Ne duhet të dimë se përse po luftojmë dhe nga se nuk duhet të heqim dorë. Asteriksi, fusnota dhe të tjerat kanë qenë vetëm mashtrime të opinionit publik, një turp elektoral para zgjedhjeve”, ka shtuar Daçiç.

7 kushtet e qeverisë së Berlinit për Beogradin janë:

1 – Përmbushja e planit të aksionit të nënshkruar në vitin 2011 me KE-në;

2 – Zbardhja e sulmit ndaj ambasadës gjermane në Beograd në shkurt të vitit 2008;

3 – Angazhim për largim nga e kaluara dhe pajtim në rajon;

4 – Realizimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun me Prishtinën;

5 – Shpërbërja e strukturave paralele në veri të Kosovës;

6 – Ndikim tek serbët e Kosovës që të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in;

7 – Vullnet se është e gatshme të arrijë normalizimin juridik të marrëdhënieve me Kosovën. 

Top Channel