Bllokimi i reformës parlamentare

15/09/2012 00:00

Ndërsa debati politik i ditës është fokusuar të imuniteti, një tjetër
reformë nga lista prej 12 detyrimeve që Bashkimi Europian i ka lënë
Shqipërisë për t’u përmbushur përpara 12 tetorit, është Reforma
Parlamentare.

Prej me shume se katër muaj ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bllokuar. Të dyja palët thonë se e kanë të qartë se kush janë përgjegjësit e bllokimit.

“Mungesa e vullnetit politik nga ana e shumicës parlamentare”, tha deputeti socialist Ditmir Bushati.

“Ping-pongu që bën opozita është i tillë që e mban të bllokuar çështjen”, tha Jemin Gjana, deputet demokrat.

Me konkretisht, ato ku palet nuk bien dakord janë vetëm dy pika nga mbi 40 amendamente, që janë miratuar me konsensus nga grupi i punes. Barazia e kohes se deklaratave ne kuvend mes Kryeministrit dhe kreut te opozites dhe menyra si votohen anetaret Gjykates se Larte dhe asaj Kushtetuese. Demokratet thone se keto ndryshime kerkojne nderhyrje ne Kushtetute, ndersa socialistet kundërshtojne.

“Të dyja këto janë çështje, të cilat mund të rregullohen fare mirë në rregulloren e Parlamentit, nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese, por kërkojnë thjesht mirëkuptim për ta konceptuar Kuvendin e Shqipërisë një platformë kolektive, pra një platformë të përbashkët dhe jo një xhep të Qeverisë”, tha Bushati.

“Secili duhet të marrë dhe të lexojë Kushtetutën e vendit. Eshtë e shkruajtur në mënyrë eksplicide në Kushtetutë, të hartuar nga kjo minorancë që është sot, kur ajo ka qenë në pushtet, Kryeministri ka të drejtë të marrë fjalën sa herë të dojë dhe kur të dojë në seancat e Kuvendit. Vazhdojnë të mbeten në një lojë të dyfishtë edhe për cështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Kanë sjellë edhe këtu propozime dhe problemin e kanë nëse do të votohen me shumicë të thjeshtë, kërkojnë në gjithë propozimet e tyre nuk kanë bërë kurrë fjalë nëse këto do të jenë të hapura apo të fshehta”, tha Gjana.

Këto ndarje të forta, duket se nuk i japin shume mundesi miratimit te Reformes Zgjedhore ne kete pak kohe te mbetur deri ne publikimin e progres raportit. Por PS e PD qe kane kthyer ne tradite arritjen e kompromiseve ne limitet e kohes, thone se po, ka ende shans.

“Në rast se ka vullnet politik, çështja në letër, jo mënyra e zbatimit në praktikë, mund të adresohet për 24 orë. Grupi i punës është asistuar nga ekspertë të kontraktuar nga Qeveria Britanike, rregullat e Parlamentit Europian përsa i përket mënyrës së votimit dhe dizenjimit të institucioneve të pavarura janë shumë të qarta dhe janë mbështetëse të propozimit tonë”, tha Bushati.

“Nëse opozita do të tregohet e gatshme dhe të lerë lojët e dyfishtë dhe të vijë për të votuar këto për të cilat kemi rënë në dakord, është e mundur”, tha Gjana.

Deputeti demokrat Gjana shton se PS ka rritur valvulat e bllokimit per reformen parlamentare, duke vene kushtin e miratimit te rregullores se kuvendit me 84 vota, ne nje kohe qe vende te tjera demokratike thote ai nuk e kane as ne nivelin e ligjit. Ndersa socialisti Bushati thote se edhe nese miratohet ne leter reforma parlamentare, kjo eshte vetem gjysma e asaj qe kerkon BE. “Zbatimi i rregullores ku mazhoranca duhet te demostroje heqjen dore nga imponimi ndaj pakices me dhunen e kartonit, eshte nje aspect po aq i rendesishem qe Brukseli kerkon”, shton ai.

Palet gjithsesi jane ende larg firmes ne leter, dhe akoma me larg zbatimit, cka ben qe nje nga reformat e domosdoshme per integrimin, te mbetet e paplotesuar, reforme qe lidhet drejtpersedrejti me Parlamentin, institucionin qe BE e cileson si vendin nga ku duhet te buroje demokracia dhe dialogu.

Top Channel