Berisha pret pinjollët e patriotëve kosovarë

15/09/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha priti në një takim pinjollë të familjeve të
patriotëve të shquar nga Kosova, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe
Haxhi Zekës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit për
një sërë aktivitetesh kulturore që do të realizohen me rastin e
100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që priste në këtë takim pasardhës të burrave të mëdhenj të kombit, të cilët me kontributin e tyre të rëndësishëm si udhëheqës të kryengritjeve shqiptare për liri, në Kosovë dhe treva të tjera, me përpjekjet e tyre heroike, lanë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësisë.

Berisha u shpreh se festa e 100 vjetorit të pavarësisë, do të shndërrohet në festën e rivlerësimit dhe nderimit të madh për të gjithë ata, të cilët bërë të mundur këtë ditë.

Nga ana e tyre, pinjollët e familjeve të patriotëve shqiptarë falënderuan kryeministrin Berisha për mikpritjen, si dhe për vlerësimin dhe nderimin që kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i kanë bërë kontributit historik të këtyre heronjve te kombit. Ata e ftuan kryeministrin Berisha ne Shkup, ku në muajin tetor do të vendoset shtatorja e heroit Hasan Prishtina, si dhe do të zhvillohen një seri aktivitetesh të tjera kulturore.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB