Konferenca ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale ka mbledhur në Prishtinë, për herë të tretë, ministra e zëvëndësministra nga shtete të ndryshme të rajonit, si Shqipëria, Turqia, Kroacia e Maqedonia.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për sfidat që ka Kosova, si krijimi i komunës së Mitrovicës veriore, pa përmendur ndonjë datë, ka shprehur besimin se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Sidoqoftë edhe në këtë proçes të gjithë e dimë se kemi sfida të tjera. Pra krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, por kam besim se edhe kjo komunë do të krijohet shpejt dhe gjithmonë duke pasur edhe suksesin e integrimit të komunitetit, në veçanti të komunitetit serb në jug, por edhe komuniteteve tjera në përgjithësi”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa zëvendësi i tij nga komuniteti serb, Sllobodan Petroviç, në një konferencë për media ka folur për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, si përgatitje e terrenit për themelimin e komunës atje.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Jacobson dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar kanë folur për rëndësinë që kanë qytetarët dhe ofrimi i shërbimeve nga komunat.

“Përmes USAID-it do të punohet që qytetarët të përfshihen në planifikimin e buxhetit dhe të sigurohemi se zeri i qytetarëve do të dëgjohet kur komunat të hartojnë prioritetet”, deklaroi Jacobson.

“Ne do të kërkojmë jo vetëm vlera të fuqishme evropiane në legjislacionin në qeverisjen qendrore, por edhe për qeverinë lokale që ajo të jetë më e fuqishme, e shëndoshë dhe e aftë të ofrojë shërbime në fshatra e qytete”, u shpreh pas saj Zhbogar.

Ndërsa zëvëndësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ferdinand Pone, vlerësoi se në Kosovë është bërë përparim i madh në aspektin e vetëqeverisjes lokale dhe se tashmë, pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, mund të ketë një rol më aktiv të qeverive lokale.

“Besoj se do të kemi rastin të shohim një rol më kushtetues, më aktiv, të njësive të qeverisjes vendore kosovare në prosperitetin e qytetarëve të tyre dhe komuniteteve të tyre”, tha Pone.

Përparimi i Kosovës në decentralizimin e pushtetit është vlerësuar me këtë rast edhe nga përfaqësues të Turqisë, Kroacisë e Maqedonisë.

Kjo konferencë dyditore ka për synim rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në proçesin e vetëqeverisjes lokale për shtetet me aspirata për anëtarësim në BE.

Top Channel