Itali, kapiteni fajtor për mbytjen e kryqëzorit

14/09/2012 08:45

Ishte kapiteni i “Costa Concordia”-s shkaktari i aksidentit fatal që solli mbytjen e kryqëzorit dhe humbjen e 32 jetëve, në janar të 2012-s.

Pjesë të raportit përfundimtar mbi aksidentin, të publikuara të premten pjesërisht në shtypin italian, akuzuan kapienin Francesco Schettino për papërgjegjshmëri në drejtimin e anijes, e cila u përplas me shkëmbinj nënujorë dhe u fundos disa orë më pas disa dhjetëra metra nga brigjet e ishullit italian të Xhilios.

Nga më shumë se 4 mijë udhëtarë dhe anëtarë të stafit, shumica arritën të shpëtonin me not, por 32 persona mbetën brenda kryqëzorit.

Vetë Schettino, në kundërshtim me kodin moral dhe rregulloren e lundrimit, ishte ndër të parët që braktisi mjetin në mbytje, një tjetër përgjegjësi e rëndë që peshon mbi të.

Megjithatë, raporti ngarkon me përgjegjësi edhe linjën “Costa Crociere”, e cila operonte kryqëzorin me vlerë 450 milionë euro.

Gjyqi ndaj Schettinos pritet të nisë muajin e ardhshëm. Ai akuzohet për vrasje, braktisjen e anijes në vështirësi dhe shkaktimin e mbytjes së saj si pasojë e manovrave të rrezikshme.

Megjithatë, kapiteni mbron veprimet e tij duke thënë se shkëmbinjtë nënujorë nuk figuronin në hartat e lundrimit dhe pretendon se pa veprimet e tij, bilanci i viktimave do të ishte shumë më i madh.

Top Channel