Shteti grek ka bërë gati një listë me ishuj të mëdhenj e të vegjël të pabanuar që mund t’u jepen me qera privatëve ose sipërmarrjeve për një periudhë nga 30 në 50 vjet.

Lajmin e ka bërë të ditur në një intervistë për Bloomberg, drejtori ekzekutiv i entit helen për privatizimin e pronave publike, Andreas Taprantzis.

Lista përfshin rreth 40 ishuj për një sipërfaqe që varion nga 500 mijë në 3 milionë metra katrorë, që mund të vlerësohen si lokalitete turistike të nivelit të lartë.

Privatizimet kanë si synim rekuperimin e 19 miliardë eurove brenda vitit 2015 dhe 50 miliardëve brenda vitit 2020. Por deri tani enti i privatizimeve, TAIPED, ka rekuperuar vetëm 1.8 miliardë, duke ngritur jo pak dyshime mbi kapacitetet e tij.

“Kemi zgjedhur lokalitete që ndodhen pranë tokës qëndrore, që disponojnë infrastrukturë dhe që nuk përbëjnë asnjë problem për sigurinë kombëtare”, ka deklaruar Taprantzis.

Shitja e ishujve, sipas përgjegjësit të TAIPED, është përjashtuar para së gjithash sepse shteti helen nuk do të kishte fituar më shumë dhe së dyti, sepse përmes qerasë Greqia do të tërheqë më shumë investime.

Në listën e 40 ishujve përfshihen emrat Fleves, në brigjet e Vouliagmenit, në bregun jugor të Athinës, si dhe Neon Stiron, pranë Evias, Alonisos, Skiathos dhe të tjerë pranë Zakintos.

Top Channel