Shefi i misionit të BE-së në Beograd, Vincent Degert ka deklaruar se vendimi përfundimtar për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë varet nga kryeministrat e vendeve të Unionit.

Në këtë mënyrë, Degert u është përgjigjur interesit të gazetarëve serbë, në lidhje me kushtet e paralajmëruara një ditë më parë nga Parlamenti gjerman.

Diplomati ka thënë se, kushtet e ligjvënësve gjermanë paraqesin vetëm një mendim dhe jo qëndrimin në tërësi të vendeve anëtare të bllokut evropian.

“Të gjithë e shohim Serbinë në Bashkimin Evropian, por janë 27 vende anëtare dhe po aq parlamente dhe e rëndësishme është se çfarë thonë ato”, ka thënë Degert.

Një ditë më parë, anëtari i Dhomës së ulët të Parlamentit gjerman, Andreas Schockenhoff deklaroi se Serbia duhet të plotësojë 7 kushte për të marrë nga Gjermania dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Një prej kushteve ishte edhe Kosova, për të cilën Schockenhoff tha se Serbia duhet të nënshkruajë me të një deklaratë të përbashkët juridike të detyrueshme, që duhet të zbatohet deri në fund të negociatave.

Deputeti gjerman u shpreh se i takon Kosovës dhe Serbisë që ta hartojnë këtë deklaratë, sikurse bënë për traktatin për marrëdhënie të mira fqinjësore mes tyre.

“Për ne është me rëndësi që të arrihet një deklaratë e përbashkët me shkrim para negociatave përafruese me BE-në dhe që deri në fund të negociatave pikat e deklaratës të jenë zbatuar me vepra”, deklaroi Schockenhoff. 

Top Channel