Alarme për bombë në universitetet USA

14/09/2012 21:50

Dy universitete amerikane janë evakuar mëngjesin e së premtes, me orën lokale, për shkak të mbërritjes së dy telefonatave që sinjalizonin praninë e bombave.

Universiteti Austin në Teksas është evakuar si pasojë e telefonatës anonime që sinjalizonte praninë e eksplozivëve në kampus.

Personeli i institucionit ka dhënë alarmin pak para orës 10 të mëngjesit, me orën lokale, duke sqaruar se alarmi ishte dhënë nga një person me theks oriental që thoshte se ishte i Al Kaedës, i cili tha se kishte vendosur bomba në të gjithë kampusin.

Mesazhi i alarmit iu dërgua studentëve me sms në orën 09:53 dhe kërkonte evakuimin e menjëhershëm të të gjitha ndërtesave.

Pothuajse në të njëjtën orë një episod i ngjashëm është regjistruar në universitetin shtetëror të Fargos, në Dakotën Veriore. Si pasojë e një alarmi për bombë të mbërritur në orën 09:49, është urdhëruar evakuimi i të gjithë personelit dhe studentëve.

Bëhet fjalë për mbi 60 mijë persona që janë evakuar nga dy institucionet. Për momentin nuk është e qartë nëse dy telefonatat, të kryera pothuajse në të njëjtën kohë, ishin të lidhura mes tyre.

Leja për t’u rikthyer në kampus, përsa i përket universitetit të Dakotës Veriore, mbërriti rreth orës së drekës, pasi alarmi rezultoi i rremë.

Probleme ka pasur edhe në një kolegj luterian në Indiana dhe episodet mund të jenë të lidhur me valën e protestave anti-amerikane në Lindjen e Mesme.

Top Channel