Grupi parlamentar i BDI-së është tërhequr nga qëndrimi se do të votojë kundër të gjitha projektligjeve të seancës së 40-të të Kuvendit ku ndodhet edhe drafti për forcat maqedonase të sigurisë.

Pas bojkotit të një dite më parë, të mërkurën deputetët e BDI-së u kthyen në Kuvend duke paralajmëruar se do të japin dritë jeshile për projektligjet e Qeverisë, përvec projektligjit që favorizon ushtarët maqedonas kundrejt luftëtarëve të UCK-së.

Këtë vendim BDI e ka ndërmarrë me qëllim që të mos krijohet përshtypje se kjo parti rrezikon axhendën evropiane të vendit.

“Beteja jonë politike kundër këtij ligji nuk është dorëzuar dhe gabim ata që kështu mendojnë. Ata që sot mund të ndjehen superior sepse ne jemi në sallë edhe ata e kanë shumë gabim, sepse jemi këtu për shkak të axhendës evropiane, si parti e përcaktuar për integrimet evropiane por beteja ka nisur do të vazhdojë dhe nuk do të përfundoj me rezultat pozitiv në aspektin e miratimit të këtij ligjit”, tha Ermira Mehemti, deputete e BDI-së.

Ndryshimi i qëndrimit të BDI-së, ka shtuar dyshimet e opozitës shqiptare se partia e Ali Ahmetit nuk është e vendosur për të bllokuar projektligjin partnerit maqedonas të koalicionit.

“Përkrahja jonë do të vazhdojë deri sa ta vërejmë se tek ju ska seriozitet. Në aspektin e procedurës kur do të vërejmë se po afrohet miratimi i ligjit dhe ju vazhdoni me këto reterime do t’ju gjuhemi në qafë dhe do të habiteni të gjithë se si ne nuk do të lejojmë të miratohet ligji. Pastaj do të shifni se si bllokohet ky parlament dhe ky shtet anti shqiptar”, tha Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.

“Pikërisht BDI tha se ne nuk do të votojmë asnjë ligj, nuk e di se cila është arsyeja që tani ju lëshoni pe. Nëse ju dëshironi që ky ligj mos të shohë dritën, ashtu siç thoni ju, ju duhet ta bllokoni këtë seancë në të cilën shqyrtohet ligji i forcave të sigurisë”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Opozita shqiptare vlerëson se mundësia e vetme e BDI-së për ta bllokuar projektligjin e VMRO-DPMNE-së është të braktisë koalicionin qeveritar.

Top Channel