Zvicër, mediat shënjestrojnë Xhakën

12/09/2012 00:00

Edhe pse një fitore e pastër dhe thuajse e thjeshtë ajo e Zvicrës përball Shqipërisë 2-0, falë gabimeve të mbrojtjes sonë, me sa duket mediat zvicerane nuk janë edhe aq të kënaqura, e nën shënjestrën e tyre është Granit Xhaka.

Mesfushori i Borusia Myshengladbahut është konsideruar prej tyre se e ka falur golin e tretë, pikërisht në një rast në minutat e fundit të takimit. Për mediat zvicerane ishte një tolerim, mungesë dëshire për t’i shënuar Shqipërisë.

Sipas komentatorit vendas, një nga të rinjtë më teknik dhe me më shumë të ardhme në Europë, nuk mund të gabojë një rast si ky ku mjaftonte vetëm ta shtynte topin në portë. Analizën e tij ai e mbyll me fjalinë: “Xhaka duhet të jetë i kënaqur, pasi nuk i shënoi Shqipërisë.”

Mesfushori kosovar i pyetur për këtë episod deklaron se ishte thjesht një moment hutimi dhe mungese kontrolli i topit, duke e anashkaluar me faktin se të paktën fitoi Zvicra. Për trajnerin Hitcfeld, Xhaka ashtu si edhe Shaqiri janë lojtarë shumë të rinj dhe tifozeria e shumtë shqiptare në Swissport Arena të Lucernës, ushtroi shumë presion.  “Ishte i lodhur, por sigurisht që kishte dëshirë ta shënonte atë gol”, thotë Hitcfeld.

Ndërkohë pyetjes që i mundoi shumë tifozë e sportëdashës shqiptar nga të gjitha trevat ishte ajo se përse këta lojtarë nuk zgjodhën Shqipërinë? I pyetur nga mediat zvicerane Xherdan Shaqiri, konfirmon: “Nuk luaj me Shqipërinë sepse nuk më ka pyetur njeri ndonjëherë nëse dua apo jo të luaj me Shqipërinë, gjithsesi, ishte një ndeshje emocionuese”.

 Një deklaratë e tepërt kjo e Shaqirit, ashtu si e di edhe ai vetë më mirë, që në bazë të rregulloreve ndërkombëtare të FIFA-s nuk është e mundur që ai të luante me përfaqësuesen shqiptare, kur kishte debutuar me Zvicrën në U17 dhe nuk posedonte një pasaportë shqiptare. Ndërkohë FSHF përvecse konfirmon këtë gjë, thekson edhe një herë ndjekjen e cdo emri të spikatur të futbollistëve shqiptar të lindur apo rritur jashtë, për t’i afruar brenda afatit të lejuar, ose minimumi për t’i pajisur me pasaportë shqiptare, që t’i lë më pas në dorë atyre zgjedhjen se ngjyrat e kujt flamuri do të përfaqësojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA