Vajza blasfeme: Kam frikë për jetën time

12/09/2012 08:30

Rimsha Masih, vajza 14-vjeçare e krishterë pakistaneze e akuzuar për blasfemi, ka frikë nga hakmarrja pas daljes nga burgu.

E ka bërë të ditur gjatë një interviste për CNN. Vajza me probleme mendore, viktimë e një komploti të organizuar nga një imam, është dërguar nga autoritetet pakistaneze në një vend sekret pasi u la e lirë nga një gjykatë javën e kaluar.

Ajo ishte arrestuar në Islamabad pasi një grup e kishte akuzuar se kishte djegur fletë të Kuranit dhe kishte kërkuar ndëshkimin e saj.

Gjyqtari Muhammad Azam Khan urdhëroi të premten lirimin e saj dhe vendosi një gjobë prej 10 mijë e 500 dollarësh.

Korrespondentja e BBC në Islamabad tha se Rimsha është personi i parë i akuzuar për blasfemi që i është dhënë një lirim me kusht nga gjykata.

Për veprën penale të sharjes së Zotit nuk parashikohet lirimi kundrejt garancisë financiare, por avokatët e vajzës argumentuan se vajza është adoleshente.

Rimsha është mbajtur në një burg të sigurisë së lartë që prej datës 16 gusht dhe për shkak të moshës së saj janë ngjallur shumë debate në lidhje me aftësitë e saj mendore.

 

Top Channel