
Për më se dy orë, qindra shqiptarë të komunitetit të emigrantëve të Selanikut dhe të Greqisë së Veriut kanë ndjekur koncertin festiv të këngëtares së njohur të muzikës së lehtë Manjola Nallbani dhe tenorit Kastriot Tusha.
Ata kanë sjellë para bashkëkombasve të tyre perla nga muzika jonë popullore qytetare, por edhe ajo operistike.
Aktiviteti u organizua në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Konsullata e Përgjithshme në Selanik në bashkëpunim me qarkun e Maqedonisë Qendrore.
Kënga shqipe, nga të gjitha trevat shqiptare, që prej Dibrës, Shkodrës, Korçës, Vlorës, Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut, është përcjellë me emocion dhe mjeshtri të lartë nga dy këngëtarët e shquar.
Emocionet dhe ndjenja e krenarisë kombëtare kanë arritur kulmin kur dy këngëtarët e shquar kanë përfunduar koncertin e tyre me këngën himn për miliona shqiptarë kudo në botë, “Ti Shqipëri më jep nder”.
Top Channel