Me urdhër të prokurorisë speciale, policia e misionit evropian EULEX raportohet se ka arrestuar tre persona, në mesin e tyre një zyrtar të lartë të komunës së Prishtinës.

Burime brenda komunës së Prishtinës konfirmojnë për TCH se bëhet fjale për zyrtarin Sami Hamiti. Ndërsa zëdhënësi i komunës Asdren Osaj tha për TCH se EULEX nuk e ka njoftuar komunën në lidhje me këtë rast.

Ndërkohë, burimi konfirmon se zyrtari në fjalë, Sami Hamiti, kryesues i asamblesë komunale aktualisht gjendet në zyrën e tij në objektin komunal. EULEX-i konfirmon arrestimin e zyrtarit.

“Zyrtari komunal aktualisht është nën arrest dhe është prezent në komunën e Prishtinës, përkatësisht në zyrën e tij deri sa zyrtarët e EULEX-it dhe prokurorisë speciale do të marrin provat e mjaftueshme që sipas dyshimeve të bazuara çojnë në keqpërdorimin e pozitës zyrtare”, ka thënë për TCH zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.

Ndërkohë, avokati i Sami Hamitit ka konfirmuar se, kërkesa e prokurorisë mbi klientin e tij është ngritur mbi dyshimet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe lidhur me këtë çështje, klienti i tij pasditen e së mërkurës pritet të merret në pyetje.

Përveç zyrtarit komunal Sami Hamiti identiteti i dy të arrestuarve të tjerë nuk dihet. Megjithatë, tre të dyshuarit u arrestuan me autorizim të gjyqtarit të proçedurës paraprake dhe dyshohen për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsionin. Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përzier i prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë nga radhët e EULEX-it.

Top Channel