Mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI rreth projekt-ligjit për forcat maqedonase të sigurisë po prodhojnë krizë parlamentare.

Përmes fjalimeve maratonike, deputetët e BDI-së po tentojnë të zvarrisin shqyrtimin e këtij projektligji nga komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale. Duke përdorur mundësitë ligjore, BDI të martën ka penguar mbajtjen e seancës plenare ku në rend ditë ndodhet projektligji problematik.

Fillimisht, deputetët e BDI-së nuk kanë hyrë në sallë duke shkaktuar mungesë kuorumi, ndërsa më pas në mënyrë procedurale kanë shfrytëzuar të drejtën për pauzë.

“Për shkak të obligimeve të grupit parlamentar dhe obligimeve partiake dhe për shkak se duhet të përgatitem për Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale, kërkoj një orë pauzë”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Nga BDI thonë se po presin përgjigje nga partneri maqedonas i koalicionit, për tërheqjen e projektligjit të VMRO-DPMNE-së ose përfshirjen e UCK-së në të. Por kryeministri Gruevski edhe të martën nuk ka dashur të flasë në lidhje me kërkesat e partisë së Ali Ahmetit dhe krizën politike.

Sipas njërit nga deputetët më të vjetër në Kuvend, Tito Petkovskit, kriza qeveritare është rezultat i paaftësisë së Gruevskit dhe Ahmetit për të tejkaluar problemet e ndërlikuara në Maqedoni

“Që nga koha kur ndodhen në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, në vend ka pasur shumë incidentete në baza entike. Gruevski dhe Ahmeti, si dy kryeministra në të njejtën qeveri, gjatë gjithë kohës fshihen pas patriotizmit entik, me axhenda anti-shqiptare dhe anti-maqedonase. Në vend që të krijojnë klimë mirëbesimi për një Maqedoni stabile, ata cdo ditë promovojnë dhunë”, tha Tito Petkovski, deputet i PRSD-së.

Deputeti opozitar maqedonas, Tito Petkovski, tha se, për të stabilizuar raportet ndëretnike në vend, është e domosdoshme,  përfshirja e ushtarëve të UCK-së në projekt-ligjin që parasheh të drejta të vecanta për ushtarët maqedonas të konfliktit të vitit 2001.

Top Channel