Luftanije ruse në Konventën e Demokratëve

12/09/2012 15:50

Konventa e Demokratëve e mbajtur pak ditë më parë në Charlotte, i dha avantazh presidentit Barack Obama kundrejt rivalit të tij republikan, Mitt Romney.

Vec fjalimit të Zonjës së Parë Michelle dhe ish-presidentit Bill Clinton, në këtë Konventë foli edhe admirali John Nathman bashkë me disa marinsa e marinarë amerikanë, vetëranë të luftës në Irak e Afganistan.

Për të ilustruar fjalimin e tij, në projektorin gjigand ku u mbaj Konventa, u shfaqën pamjet filmike të 3 anije të luftës. Skenografia synonte të rriste patriotizmin dhe të shpaloste forcën e flotës ushtarake mes amerikanëve…e në një farë mënyrë ia doli mbanë.

Pas përfundimit analistët dhe republikanët nisën të kapin pikat e dobëta, jo vetëm të programit Obama, por edhe të organizimit të Konventës, që tregon se sa e ashpër është beteja elektorale mes dy rivalëve.

Në një rast të tillë, revista “Navy Times” u tregua më e vëmendshmja duke lënë menjanë fjalët që u thanë në Konventë e duke u marrë me atë që u shfaq. Sidomos në fjalimin e admiralit, John Nathman.

Sipas kësaj reviste, në të vërtetë tre anijet që u përdorën për ilustrim në projektorin gjigand gjatë fjalës së admiralit, ishin anije ruse. “Navy Times” i identifikon ato si Kerch, model rus luftanijesh dhe Smetlivy lloj kryqëzori, po prodhim rus.

Revista thotë se anijet janë pjesë e flotës ruse në Detin e Zi dhe se pamjet janë marrë prej andej. Më tej, në analizën e saj, ajo ka kërkuar që organizatorët e Konventës t’u kërkojnë ndjesë të gjithë amerikanëve për gafën e kryer.

Top Channel