Kritika propozimit të Barrosos

12/09/2012 23:20

Kriza ekonomike dhe demokracia mbizotëruan debatin mbi Gjendjen e Unionit në Parlamentin Europian në Strasburg. Koncepti i Presidentit të Komisionit, për një Europë më të bashkuar nëpërmjet një federate të shteteve komb, u kritikua rëndë nga liberalët dhe të gjelbrit në PE.

José Manuel Durao Barroso, President i Komisionit Europian :

“Sot, unë bëj thirrje për një federatë shtetesh komb. Jo për një supershtet”.

Guy Verhofstadt, Kreu i liberalëve në PE, ALDE :

“Ajo që na duhet nuk është një federatë e shteteve komb, por një Bashkim Federal i qytetarëve europianë”.

Daniel Cohn-Bendit, Kreu i të gjelbërve në PE, Green/EFA :

“Po, na nevojitet një Europë post-nacionale, por s’duhet të jetë një federatë shtetesh. Sigurisht që vendet anëtare, nëpërmjet senateve dhe parlamenteve do të luanin një rol të rëndësishëm në legjislacionin europian, por ajo që ndodh sot është që kemi një Këshill që është njëkohësisht edhe ekzekutiv edhe legjislativ. Nuk mund të ecet përpara kështu. Montesquieu po rrotullohet brenda varrit”.

Presidentit të Komisionit i’u vu sërish në dukje nevoja për ruajtjen e një Europë sa më sociale, me më shumë rritje dhe punësim, edhe në këtë kohë të rëndë krize.

Hannes Swoboda, Kreu i të majtës në PE, S&D :

“Ne nuk duam që qytetarët më të varfër të Europës të bëhen edhe më të varfër. E majta nuk do të pranojë asnjë buxhet europian që dështon të kontribuojë për rritjen ekonomike dhe hedhim poshtë të gjithë tentativat populiste për shkurtime të mëtejshme në buxhet”.

Daniel Cohn-Bendit:

“Për sa kohë që buxheti i BEsë do të jetë vetëm 1% e GDP së Europës, ne nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një politikë të duhur sociale”.

Në përballjen me eurodeputetët, Komisioni Europian u kritikua edhe për standartin e dyfishtë që zbaton kur i përgjigjet në kohë kërkesave të Këshillit, ndërsa vonon apo nuk përgjigjet ndaj propozimeve të Parlamentit Europian.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel