MUSTAFA NANO – Në një shkrim të publikuar në të përjavshmen “The
Economist”, me titull “Integrated Circle” (Qarku i Integruar), në të
cilin flitej mbi perspektivën e BE-së e mbi perspektivën e integrimit në
të të vendeve të Ballkanit, bëheshin dy nënvizime që duket se hedhin
pak dritë mbi kotësinë e debatit të këtushëm mbi këto çështje.
Nënvizimi numër një (po e perifrazoj autorin që, sipas shumë gjasash, duhet të jetë Tim Judah, reporteri e analisti i revistës në fjalë që mbulon prej kohësh Ballkanin): “Disa vende anëtare të BE-së kanë zënë të dyshojnë më shumë se kurrë lidhur me pretendimet mbi reformimin e vendeve që janë në proces anëtarësimi në BE. Deri tani, progres-raportet e përvitshme të hartuara nga Komisioni Europian kanë shërbyer si kuti i artë për matjen e seriozitetit të reformave, por ka ca kohë që disa vende, sidomos Gjermania, po ndjekin parimin ‘beso e kontrollo!’. Ata po i shohin me dyshim raportet e përgatitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit, duke menduar në të njëjtën kohë se autorët e raporteve, tok me shefat e tyre, janë të interesuar në vetë të parë ta mbajnë gjallë këtë ‘spektakël të zgjerimit’, ngaqë kështu zihen e mbahen me punë.”
Ndërsa nënvizimi numër dy bën pak a shumë kështu: “Greqia ka qenë një model për rajonin: një vend në thelb ballkanik që u bë i mbrothët, ndonëse ish i leckosur, dhe e gjitha kjo nën flamurin e BE-së. Por kriza greke na bindi se integrimi pa europianizim e reformim të thellë e real bart shumë rreziqe”.
Të dyja nënvizimet janë në thelb e njëjta gjë, por unë po i shqyrtoj veç e veç. Po e filloj nga nënvizimi i dytë. Autori shfaqet i bindur, dhe me siguri ka arsyet e veta, që kriza greke ka ardhur prej një “integrimi në BE, por pa europianizim”. Nuk është çudi që thellë-thellë të jetë kështu, ndonëse nuk ka prova që e vërtetojnë qartazi këtë lidhje mes europianizimit të munguar të Greqisë e krizës që gati po i çon grekët në pikën e nisjes. Sigurisht, klientelizmi, mbushja e administratës me mbështetës partie, sistemi politik që ngrihej mbi një bipolaritet e dialektikë që herë pas here ka marrë formën e një rotacioni familjesh në pushtet (familja Papandreu e familja Karamanlis), etj., etj., janë vese ballkanike që bien ndesh gjithë kohën me vlerat europiane, me demokracinë gjenuine, me shtetin e së drejtës, por nuk dimë se deri në ç’masë këto vese mund të kenë sjellë krizën financiare greke.
Autori thjesht ka paraqitur një tezë të vetën. Unë do doja shumë që ai ta kish zhvilluar këtë tezë. E megjithatë, kam bindjen time se europianizimi i munguar i Greqisë, edhe sikur të mos ketë gisht në këtë krizë të paparë në vendin tonë fqinj, do të shfaqej një ditë tjetër si rrezik. Greqia ka qenë prore hallka e dobët e zinxhirit europian, jo ngaqë aty janë trukuar ca të dhëna financiare, por ngaqë aty janë trukuar ca vlera europiane.
Kur autori e shpreh këtë rrezik, ai ka parasysh qederin e BE-së e të Europës prej një vendi të tillë, por në këtë mes kostoja është edhe e vetë vendit që “integrohet pa u europianizuar”. Nuk është vetëm kosto e sotme që paguajnë qytetarët në vendin e tyre, ku nuk ka rule of law, zgjedhje të lira e të ndershme, accountability e transparencë në qeverisje, institucione të pavarura, etj., etj. Është dhe kostoja e nesërme, që futet në preventiv, ngaqë reformimi e europianizimi nuk është çudi të ndërmerret një ditë nga forca që në program kanë një si përmbysje të regjimit (ancien régime?), gjë që nënkupton ndëshkimin e nomenklaturës së vjetër, burgosjen, prangat, gjyqet, ringritjen nga e para të institucioneve e të administratës, etj. (shihni retorikën e Kreshnik Spahiut që po ngjit gjithnjë e më shumë tek njerëzit). Shkurt, ngado që t’i vish rrotull këtij argumenti, arrin lehtësisht në përfundimin se integrimi pa europianizim është në rastin më të mirë një vetëgënjim, e në rastin më të keq një gjë e rrezikshme.
Kthehemi tani te progres-raportet, të cilat (deri tani – thuhet në “The Economist”) janë hartuar me zemërgjerësi nga njerëzit e Komisionit Europian, të cilët, duke qenë të prirur e të përgjëruar të ndjekin agjendat e tyre të zgjerimit, s’e kanë pasur për gjë të mbyllin një sy, ndoshta dhe të dy, teksa bëjnë vlerësimin e leximin e realiteteve lokale. Kjo ka ndodhur me Shqipërinë. Dhe po ndodh. Brukseli e ka ulur në maksimum stekën e standardeve për t’u respektuar, dhe regjimi i Tiranës, sikur të ish pak më rrufjan, do ta kish kaluar me kohë këtë stekë, s’ka gjë se, fjala vjen, ka vrarë katër opozitarë të pafajshëm në bulevard. Sikur Berisha të kish vendosur që të bënte zgjedhje normale më 8 maj e sikur të kish ecur më shpejt e pa shumë vickla me përmbushjen formale (‘formale’ në kuptimin ‘sa për formë’) të 12 kërkesave të Brukselit, ne do ta kishim marrë statusin e vendit kandidat. E kuptohet, marrja e statusit në këto rrethana do ish një pesë me hiç. Marrja e këtij statusi nuk ka ç’na duhet. Statusi i dhënë në këtë mënyrë është një medalje për bandat me pushtet, është një inkurajim i këtyre bandave.
Personalisht kështu e shoh këtë punë. E prandaj, në takimet që kam pasur (tok me kolegë e njerëz të tjerë) me drejtorin e zgjerimit, Stefano Sannino, dhe ministrin danez të çështjeve europiane, Nicolai Wammen, u kam bërë të njëjtën pyetje: “Ju do t’ia jepnit statusin e vendit kandidat një vendi, i cili ka për kryeministër një njeri, që i thotë kryeprokurores ‘putanë bulevardi’, që refuzon të zbatojë urdhër-ndalimin e prokurorëve për një numër gardistësh, e që i thotë kryeopozitarit para kamerave ‘provoje dhe një herë atë që bëre më 21 janar dhe kam për të të ndëshkuar si një bandit’?” Më kanë lënë të kuptoj se “po, do t’na i jepnin këtë status të nëmur”.
Kështu, “The Economist” ka të drejtë. Ne shqiptarët jemi një rast që ilustron qartazi pretendimin e së përjavshmes londineze. Pse? Sepse praktikisht jemi jashtëzakonisht larg Europës, e në të njëjtën kohë jemi shumë pranë integrimit në BE. Mirëpo integrimi në BE e europianizimi nuk ka pse të jenë dy procese të ndryshme. Përkundrazi, ato duhet të jenë e njëjta gjë.
Top Channel