Gjermani, Gjykata aprovon Fondin e Shpëtimit

12/09/2012 15:35

Gjykata Kushtetuese Gjermane hodhi poshtë thirrjet për bllokimin e kontributit të vendit në Fondin Europian të Shpëtimit, parashkuar në Traktatin Fiskal Europian të fillimvitit.

Kancelarja Angela Merkel e cilesoi vendimin si një “ditë të shënuar” për vendin e saj dhe Europën, ndërsa tregjet reaguan me rritje të menjëhershme në bursa.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi kushte dhe kufizime për kontributin e vendit, duke përcaktuar se çdo vendim duhet të aprovohet më parë nga Parlamenti Gjerman.

Sipas kritikëve të traktatit, Fondi i Shpëtimit lidh pas vetes Berlinin zyrtar me “humnerën fiskale” të disa vendeve europiane, duke e ekspozuar ndaj huadhënieve të mëdha të paparashikuara në të ardhmen.

37 mijë gjermanë kishin firmosur një peticion, duke iu drejtuar Gjykatës me kërkesën e bllokimit të Fondit ose dërgimin e kësaj çështje në një referendum popullor.

Duke qenë se Gjermania duhet të paguajë 27% të shumës prej qindra miliardë eurosh, tërheqja e vendit nga pjesëmarrja në këtë Fond do të bënte të pamundur zbatumin e tij.

Pas disa ditësh argumentimi ligjor, kryetari i Gjykatës Kushtetuese shprehu të mërkurën se pjesëmarrja në këtë Fond nuk e dëmton pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

Top Channel