Pakoja e Ahtisarit që nga e hëna nuk është më dokumenti që ka pasur fuqinë më të madhe në Kosovë, duke qëndruar edhe mbi Kushtetutën e Kosovës.

Në fakt, dokumenti gjithpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës tashmë është bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës, e cila tashmë është akti më i lartë juridik në vend.

“Ka përfunduar edhe pakoja e Ahtisarit. Ajo nuk është një pako e vdekur, por është integruar brenda Kushtetutës dhe legjislacionit. Dhe nuk është tani mbi Kushtetutën. Nuk është një ombrellë mbi sistemin kushtetues dhe ligjor, sepse që nga 10 shtatori Kushtetuta jonë është fuqizuar si akti më i lartë juridik dhe nuk kemi më supremaci të akteve ndërkombëtare”, deklaron juristi Arsim Bajrami.

“Me një fjalë, ne po marrim formën e një shteti të kompletuar, duke përjashtuar strukturën e sigurisë kur kemi NATO-n dhe asistencën e EULEX-it”, sqaron kryetar i komisionit kuvendor për amandamentimin e Kushtetutës.

Sipas Bajramit, kjo ka ardhur me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe tashmë shumë funksione që i kanë kryer ndërkombëtarët janë në dorën e vendorëve.

“Komplet sistemi i gjykatava, Gjykatës Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe mekanizmat e tjerë, tani qeverisen nga institucionet vendore. Nuk ka emërime ndërkombëtare. Emërimet bëhen nga institucionet vendore, nga presidentja e Republikës së Kosovës. Një pjesë e kompetencave të emërimeve nëpër borde dhe nëpër institucione tjera kalojnë nga kryeministri dhe qeveria”, saktëson Bajrami.

Më 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me konstatimin se pakoja e Ahtisarit nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë.

Top Channel