Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Catherine Ashton do të diskutojë me presidentin serb, Tomislav Nikolic dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci mbi cështjen e dialogut mes dy vendeve.

Duke folur për mediat, zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijancic tha se këto diskutime do të mbahen gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Risia në këto bisedime, nëse do të mbahen, është se Robert Cooper nuk do të jetë më ndërmjetësi i tyre pasi ai vendosi të tërhiqej nga detyra e ngarkuar në datën 1 shtator.

Duke cituar burime nga Komisioni Europian, mediat serbe flasin për bisedime në nivele më të larta se ato të zhvilluara deri më tani dhe nisur nga formati i tyre, Robert Cooper mund të jetë pjesë, por tashmë jo si ndërmjetësues, por si këshilltar.

Top Channel