Strehimi i familjes rome, debate në Britani

11/09/2012 00:00

Rasti i një familje të komunitetit rom me shtetësi bullgare që mori strehim brenda 3 javësh në Britaninë e Madhe, po bën bujë në vendin ishullor duke përcarë opinionin publik nëse duhej apo nuk duhej dhënë ky strehim.

Rusi Georgiev 41 vjec dhe partnerja e tij Mariana, 34 vjec, bashkë me shtatë fëmijët e tyre vendosën të udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe pas humbjes së vendeve të punës dhe shtëpisë në Bullgari.

Kur mbërritën në Londër, duke qenë se nuk kishin asnjë kontakt, ata u vendosën në sheshin përpara katedrales në qendër të kryeqytetit britanik. Prezenca e tyre në një zonë kaq të frekuentuar i vuri shpejt në qendër të vëmendjes së mediave angleze.

Brenda pak ditëve ata kërkuan ndihmë nga shteti për të përfituar strehim, ndërsa 41-vjeçari, baba i shtatë fëmijëve tregonte për motivet që e shtynë të emigronte në Londër kur s’kishte një strehë. Sipas tij, ligjet britanike janë të favorshme për këtë kategori. E në fakt kishte të drejtë. Në krye të 3 javëve, familja me shumë anëtarë u bë me shtëpi dhe punë të siguruar nga shteti britanik.

Miratimi i një kerkëse të tillë në një kohë rekord dhe kur të dhënat zyrtare britanike tregojnë se ekonomia e vendit është në recesion ngjalli kritika ndaj ligjit të strehimit. Mediat britanike janë ato që kritikojnë më ashpër ligjin, duke thënë se “u shpenzuan paratë e taksapaguesve britanikë për të strehuar familjen rome”.

Top Channel