Eksperti i çështjeve ballkanase, Daniel Server, duke komentuar mbylljen e
pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë, është shprehur optimist se
vetëqeverisja do të jetë efikase për shtetin e ri.

Në një intervistë për VOA, Server ka vlerësuar se qeverisja është më efikase kur ka të gjitha përgjegjësitë në duart e saj.

“Nëse autoritetet aktuale duan të rizgjidhen, ato do të detyrohen të qeverisin mirë. Justifikimi se ‘nuk po na lënë të bëjmë njërën gjë apo tjetrën’ do të fashitet gradualisht. Është në dorën e popullit të Kosovës të vendosë se kush do të qeverisë në të ardhmen, por nuk mendoj se ka ndonjë përfitim nga një situatë ku autoritetet e zgjedhura nuk janë plotësisht përgjegjëse për mënyrën se si qeveriset Kosova”, ka deklaruar Server.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins ka nënvizuar se problemi kryesor për Kosovën mbetet proçesi i decentralizimit, që sipas tij nuk u realizua gjatë fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, për shkak të qëndrimit të Beogradit.

“Në veri ekziston një qeverisje që kontrollohet nga Beogradi dhe jo nga Prishtina. Kjo nuk përbën decentralizim, por ndarje territoriale de fakto. Ky është një realitet i padëshirueshëm për mua dhe mendoj se është i padëshirueshëm edhe për evropianët e Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Server, duke shtuar se problemi në fjalë duhet zgjidhur përmes dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa Kurt Wolker, drejtor ekzekutiv i institutit McCain të Universitetit të Arizonës, thotë se mbyllja e mbikëqyrjes duhet të shihet si një moment kalimtar dhe jo si diçka me rëndësi të jashtëzakonshme.

“Gjendja ka qenë e qëndrueshme ose relativisht e qëndrueshme për një farë kohe. Do të ishte për të ardhur keq dhe e rrezikshme për cilindo nga faktorët në Kosovë që të përpiqej të përfitonte nga fundi i fazës së mbikqyrjes duke këmbëngulur për pikëpamje ose interesa vetjake”, ka thënë Wolker.

Gjatë intervistës për VOA, edhe ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO është shprehur i të njëjtit mendim me Server përsa i përket problemeve në veri të shtetit të ri.

“Në këndvështrimin afatgjatë, veriu i Kosovës duhet të integrohet si pjesë e Kosovës dhe të ketë sa më shumë pavarësi lokale që të jetë e mundur, për të zgjidhur çështjet e banorëve të atjeshëm”, ka thënë Wolker.

Top Channel