Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, firmosi një dekret që i pengon kompanive shtetërore që të shkëmbejnë informacion me autoritetet e huaja pa leje të posaçme më parë nga Moska.
Kompanitë shtetërore do të kenë nevojë për leje edhe në ndryshimin e çmimeve dhe klauzolave të tjera të kontratave të nënshkruara me firmat e huaja.
Lëvizja vjen vetëm disa ditë pasi Komisioni Europian lajmëroi nisjen e një hetimi ndaj gjigantëve energjitikë të “Gazprom”-it.
Sipas KE-së, “Gazprom” mund të jetë duke abuzuar me pozicionin e tij dominues në treg.
Teksti i dekretit, i shpërndarë nga Kremlini, shkruante: “Nëpërmjet këtij dekreti vendoset si një detyrim ligjor refuzimi pa leje shtetërore i pjesëmarrjes në çfarë do hetim të huaj që është në gjendje të dëmtojë interesat ekonomike të Federatës Ruse”.
KE vendosi të niste një hetim mbi bazën e dyshimeve se “Gazprom” dëmton konkurrencën në treg dhe ndryshon në mënyrë të paligjshme rrjedhën e gazit midis shteteve anëtare.
Rusia është furnizuesi më i madh me gaz i Europës, duke mbuluar 25% të nevojës së përgjithshme, por në disa vende zotëron statusin e furnizuesit të vetëm.
Top Channel