Protestë anti-amerikane në Egjipt

11/09/2012 23:15

Protestues të revoltuar u ngjitën në muret e Ambasadës Amerikane në Kajro dhe rrëzuan flamurin e Shteteve të Bashkuara, pas publikimit të një filmi që sipas tyre fyen profetin Muhamed.

Ata vendosën në vend të flamurit amerikan, një të zi ku shkruhej: “Nuk ka zot tjetër vec Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i tij”. Mes tyre kishte salafistë, të rinj aktivistë dhe koptë. Disa prej protestuesve i bënë thirrje presidentit Mohamed Mursi të veprojë menjëherë.
 
“Ti doktor Muhamed Mursi erdhe në detyrë nga demokracia dhe ligjshmëria. Ne po të kërkojmë të zhvillosh një takim me islamikë sic bëre disa ditë më parë me artistët dhe mendimtarët. Mendimtarët islamikë janë të revoltuar me ju sepse nuk po zhvillon një takim me ta. Ne duhet t’i ndërpresim marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ata nuk po na ndihmojnë”, tha Ali Mursi, protestues.

Filmi që u bë shkaku i protestave u prodhua nga pastori Terri Xhons, që i kanë vënë flakën kopjeve të Kuranit, në fillim të këtij viti në bashkëpunim me emigrantë egjiptianë koptë.

“Kërkesa e parë është ndaloni filmin sepse mesazhi është fyes. Ne si myslimanë dënojmë mesazhin. Ne po dënojmë cdo ofezë ndaj cdo myslimani në të gjithë botën, përfshirë ata në Mianmar apo Siri. Së dyti kërkojmë tërheqjen e shtetësisë egjiptiane për emigrantët koptë në Shtetet e Bashkuara, ata janë një grup i mallkuar. Ata duhet të ndalohen të hyjnë në Egjipt. Kërkojmë apologjinë e Kishës Egjiptiane”, tha Sayed Sahely, protestues.

Kisha Ortodokse Kopte publikoi një deklaratë e cila dënonte cdo hap të ndërmarrë nga koptët që jetonin jashtë vendit, për të financuar prodhimin e një filmi që fyen Muhamedin. Një e dhjeta e popullsisë egjiptiane prej 83 milionësh, është e krishterë.

Ambasada Amerikane në Kajro përmes një deklarate, dënoi “përpjekjet e vazhdueshme të atyre personave që lëndojnë ndjenjat fetare të myslimaneve si dhe orvajtjet për të ofenduar besimtarët e besimeve të tjera.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nulënd tha se po punohet me forcat e sigurise egjiptiane për të rikthyer rregullin në ambasadë dhe rendin në Kajro.

Top Channel