Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti dhe homologu i tij kosovar Enver Hoxhaj deklaruan në Prishtinë se qeveritë e dy shteteve do të ndërmarrin një fushatë të fuqishme lobuese për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën.

Gjatë takimit, dy ministrat u zotuan  se do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin dhe koordinimin në këtë proces.

“Të dy ne si ministra jemi të vendosur që ta nxisim një axhendë shumë agresive, shumë dinamike lobuese dhe e falënderova ministrin për vizitat në pjesë të ndryshme të botës, ku në mënyrë publike dhe zyrtare e ka shtuar kërkesën që këto shtete ta njohin Kosovën”, tha ministri kosovar Hoxhaj.  

Ai ka shprehur mirënjohjen e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës ndaj të gjithë udhëheqjes institucionale e politike të shtetit shqiptar, për punën që po bën në fushën e lobimit, për të cilën, siç tha Hoxhaj, njohja e plotë e Kosovës është një prioritet.
 
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, ka uruar popullin dhe autoritetet e Kosovës për ngjarjen historike të heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur.
 
 “Do të shtojmë bashkëpunimin për të bërë të mundur që Kosova të përfaqësohet denjësisht në institucionet ndërkombëtare me qëllim final edhe anëtarësimin e saj në OKB”, deklaroi Ministri Edmond Panariti.

Hoxhaj dhe Panariti po ashtu kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral dhe kanë bërë të ditur se komisionet për bashkëpunim ekonomik të të dyja shteteve do të takohen gjatë kësaj vjeshte, dhe se puna e tyre do ta fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e ekonomisë.

Top Channel