Kryeministri kinez: Arrijmë rritjen 7,5%

11/09/2012 15:55

Kryeministri i Kinës, Wen Jiabao, deklaroi në Forumin Ekonomik Botëror në Tianjin se vendi i tij është në rrugën e duhur drejt arritjes së objektivave ekonomikë për 2012.

Ai siguroi se rritja minimale prej 7,5% do të arrihet, i kërkoi huadhënësve ndërkombëtarë që të rrisin bashkëpunimin dhe bëri thirrje për heqjen e pengesave doganore gjatë një krize botërore si ajo që po përjetohet.

Fjalimi i kryeministrit erdhi pas disa raportimeve se Kina mund të jetë larg arritjes së objektivave vjetorë ekonomikë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se prodhimi industrial dhe eksportet kanë rënë, ashtu si importet.

Një situatë e tillë ka krijuar besimin se Pekini është duke përjetuar rënie në kërkesën e brendshme dhe të jashtme, duke rrezikuar objektivat që i ka vendosur vetes.

Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë sipas Jiabaos. “Jemi besimplotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të kaluar vështirësitë që kemi përpara, duke mbajtur një rritje stabël ekonomike, e cila është ende mbi kufirin minimal prej 7,5%. Pavarësisht ngadalësimit botëror, ekonomia kineze dhe rritja e saj japin shenja të qarta stabiliteti”.

Top Channel