Jemen, atentat kundër Ministrit të Mbrojtjes

11/09/2012 00:00

Shpërthimi i një autobombe në afërsi të godinës së Ministrisë së Mbrojtjes në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, vrau 11 persona, 6 prej të cilëve rojet personale të Ministrit të Mbrojtjes, Mohammed Nasser Ahmed.

Nga hetimet e para në duket se shënjestra e sulmit ka qenë pikërisht ministri i Mbrojtjes. Fatmirësisht ai nuk është dëmtuar nga atentati, ndërkohë që ndërtesat pranë, përfshirë këtu edhe ato qeveritare, u dëmtuan rëndë.

Rrugët që të cojnë drejt godinave të qeverisë së tranzicionit në Sanaa u mbyllën, ndërsa deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmit.

Sulmi i përgjakshëm ndodhi një ditë pas njoftimit të forcave të sigurisë jemenase për vrasjen e numrit një të Al Kaedas në Gadishullin Arabik, Said al-Shihri.

Ky ishte atentati i katërt i realizuar ndaj ministrit të Mbrojtjes që prej formimit të qeverisë së re në muajin dhjetor.

Jemeni, vendi më i varfër i Lindjes së Mesme, përballet me lëvizje të fuqishme separatiste dhe një lulëzim të ekstremizmit fetar për shkak të trazirave që kanë përkeqësuar gjendjen e rendit në vend.

Top Channel