Breznica, kufiri që ndan shqiptarët

11/09/2012 00:00

Nën hijen e një lisi, tre policë serbë kontrollojnë dokumentet e
identifikimit. Aty gjithçka ka kufi. Është fshati Breznicë i Bujanocit i
banuar me shqiptarë, që jetojnë në kufirin me Kosovën, por i takon
Serbisë.

Faturat, tatimet, shkolla fillore dhe ilaçet i kanë në qytetin e Bujanocit në Luginën e Preshevës. Kosovën e kanë përballë dhe për të shkuar në qytetin e tyre, duhet të kalojnë nga Kosova, tek kalimi kufitar Dheu i Bardhë pasi nuk kanë rrugë. Për këtë çdo javë duhet të paguajnë nga 20 euro si pasojë e marrëveshjes për lëvizje të lirë në bisedimet me Kosovën. Për ta lëvizja nuk është edhe aq e lirë.

“Cdo tatim, cdo pagesë ne duhet ta bëjmë përmes komunës sonë, por infrastruktura është shumë e keqe”, thotë një banor.

Në qytet, Shaip Kamberi i Partisë për Veprim Demokratik dhe Jonuz Musliu i Lëvizjes për Progres Demokratik, kanë kërkesa për Kosovën dhe zgjidhjen e problemeve. Ndërkohë që Musliu kërkon prezencë ndërkombëtare ushtarake dhe anohet tek Serbia, Kamberi shpreson që Presheva të përmendet në bisedime, pavarësisht që zyrtarët e lartë të Kosovës nuk janë takuar me ta prej dy vjetësh.

“Do të ishte e papranueshme dhe destabilizuese për të ardhmen e rajonit, po qe se tolerohet në Ballkan të ekzistojnë pakicat e privilegjuara, sic tentohet me serbët e Kosovës, që të jenë me standarde të vecanta, që këtë moment janë edhe mbi standardet ekzistuese të BE”, tha Kamberi.

“Eshtë koha që edhe Kosova dhe Shqipëria të interesohen që shqiptarët e Luginës së Preshevës, të jetojnë në tokat e tyre pa marrë parasysh kostot”, tha Musliu.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës besojnë se Serbia dikur i ka ndarë shqiptarët e këtushëm nga Kosova qëllimisht. Është bërë luftë dhe paqe për këtë pjesë. Ndërkohë që në anën tjetër për fshatin e mbyllur në karantinën simbolike, recetat nuk mjaftojnë pa ilaçin për zgjidhje.
 
Nga marrëdhëniet e Kosovës me Servinë, varen edhe lehtësirat për banorët e këtij fshati, por deri atëherë rruga e banorëve të kësaj ane nuk do të jetë e lehtë.

Top Channel