Bin Laden, doktori pakistanez thyen heshtjen

11/09/2012 00:00

Doktori pakistanez i përfshirë në kërkimet e Shteteve të Bashkuara për
Osama bin Laden ka deklaruar se nuk ishte në dijeni për rolin e tij në
vrasjen e kreut të Al Kaedës, në vitin 2011.

Duke folur për herë të parë pas arrestimit, Shakil Afridi tha për Fox News se pas vrasjes së sheikut nuk mendonte të arratisej, por gjithësesi u arrestua nga agjentët e shërbimeve sekrete pakistaneze, ISI.

Ai tha se ISI, që pretendon se e ka torturuar, konsideron Shtetet e Bashkuara si armikun më të keq. Doktor Afridi mësohet se është kontaktuar me telefon në burgun e Peshauarit.

Drejtuesit e burgut, të kontaktuar nga BBC u kapën të papërgatitur nga lajmi për intervistën, por nuk e përjashtuan mundësinë që një telefon celular të jetë futur ilegalisht në qelinë e tij.

Doktori dyshohet se ka përdorur një fushatë të rremë vaksinimi, në përpjekje për të siguruar kampione të ADN-së të familjarëve të Bin Laden.

Ai u dënua me 33 vjet burg në maj për financimin dhe mbështetjen e një grupi militant, por korrespondentët thonë se ai u ndëshkua sepse ndihmoi CIA-n.

Intervista është publikuar në vigjilje të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA dhe në një moment kur lideri i Al Kaedës, Ayman al Zawahiri konfirmoi vdekjen e një tjetër figure jetike të organizatës, Abu Yahya në Pakistan.

Dy ditë më parë ishte një tjetër protagonist që bëri rrëfimin e tij në lidhje me vdekjen e sheikut të terrorit, konkretisht marinsi që mori pjesë në operacionin në kompleksin në Abotabad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB