Vrasja në Alpe, kontroll për eksploziv

10/09/2012 16:00

Ekspertë të eksplozivëve kanë inspektuar shtëpinë e shtetasit britanik që u vra bashkë me familjen e tij në Alpet franceze javën e kaluar.

Fqinjët e Saad al Hilli në Klejgejt u evakuan nga banesat e tyre pasi artikuj të dyshimtë u gjetën në kopshtin e shtëpisë, por që më vonë nuk rezultuan të rrezikshëm.

Ndërkohë, policia franceze ka konfirmuar vdekjen e vjehrrës 74-vjeçare të Al Hillit, por nuk ka bërë publik emrin e saj. Ndërsa vajza e madhe e kryefamiljarit, Zainab, ka dalë nga koma.

Vajza 7-vjeçare mbeti e plagosur gjatë sulmit me armë zjarri, ndërsa motra e saj e vogël, që ishte fshehur pas trupit të së ëmës, është kthyer në Britani.

Zeena kishte qëndruar e fshehur për tetë orë prapa trupave të prindërve të saj, sidomos pas trupit të së gjyshes. Ndërsa një çiklist mbeti i vrarë, pasi dyshohet se kishte qenë dëshmitar i ngjarjes.

Hetuesit francezë dhe ata britanikë filluan ekzaminimin e shtëpisë së zotit Al Hilli ditën e shtunë, si pjesë e përpjekjeve për të zbardhur motivet e vrasjeve, që ndodhën teksa familja kalonte pushimet.

Ekspertët e eksplozivëve, të cilët u thirrën nga policia lokale, kaluan rreth dy orë duke mbikëqyrur pronën, për t’u larguar pak pas mesditës së të hënës.

Fillimisht autoritetet dyshuan se vrasja mund të ishte kryer nga vëllai i Al Hillit, pasi ai i detyrohej atij një sërë borxhesh. Por vetë vëllai i viktimës u paraqit në polici për të hedhur poshtë hipotezën.

Top Channel