Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, së bashku me dy homolegët e tij në Maqedoni dhe Mal të Zi, kanë nisur zbatimin e projektit për ndalimin e përmbytjes në pjesën e poshtme të lumit Drin. Ky projekt ka një vlerë prej 10 milionë dollarë.
“Ne si Shqipëri kemi arritur të bëjmë një investim prej 10 milionë dollarë në zonën e Bunës që lidhet me Drinin. Po ashtu po bashkëpunojmë me Ministrinë e Bujqësisë të Maqedonisë dhe Malit të Zi, për të arritur investime afatgjata, me ndihmën edhe të institucioneve si Banka Botërore”, deklaroi Mediu.
Përmbytjet, zjarret e thatësira janë fenomene me të cilat po përballet gjatë këtyre viteve edhe Shqipëria, ndaj kreu i ministrisë kërkoi hartimin e një strategjie për ndyshimin e klimës.
“Ne po përballemi me temperatura të paqëndrueshme, sezone zjarresh dhe me reshje që ndikojnë në kaskada, në furnizimin me energji elektrike dhe shkaktojnë përmbytje. Pikërisht sot jemi mbledhur këtu për t’i dhënë fund projektit që mund të ndihmojë vendet tona”, theksoi Mediu.
Gjatë vitit 2010 dhe 2011 një pjesë e madhe e zonave të banura pranë lumit Bunë u përmbytën disa herë.
Top Channel