Hungari, pranga ministrit të regjimit komunist

10/09/2012 16:50

Një ish-ministër i Brendshëm i Hungarisë, Bela Biszku, që mbikëqyri përleshjet e revolucionit të vitit 1956, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer krime lufte.

Zoti Biszku, 90 vjeç, akuzohet për dështim në mbrojtjen e civilëve në kohën e luftës dhe mbahet përgjegjës për urdhërimin e forcave të sigurisë për të hapur zjarr ndaj turmave.

Nga ana e tij ai i mohon akuzat, për të cilat mund të përballet me burgim të përjetshëm. Kryeprokurori i Budapestit, Tibor Ibolya deklaroi se ka kërkuar që Biszku të vendoset në arrest shtëpie.

 “Sot prokurorët kanë ndaluar dhe dëgjuar në cilësinë e të dyshuarit Bela Biszkun, një nga projektuesit kyç dhe përgjegjësit për kundërsulmet që pasuan revolucionin e vitit 1956 dhe kryengritjet”, deklaroi prokurori.

Është hera e parë që një lider i ofensivave të 1956-ës po ndiqet penalisht. Biszku është anëtari i vetëm i mbijetuar i komitetit ekzekutiv të Partisë Komuniste të atëhershme.

Kryengritjet e vitit 1956 kundër diktaturës komuniste në Hungari dhe nënshtrimit të saj ndaj Bashkimit Sovietik nisën në nëntor dhe çuan në rrëzimin e qeverisë. Por brenda tre javësh kryengritja u shtyp nga pushtimi sovietik.

Ish-ministri Biszku akuzohet si përgjegjës për urdhërimin e forcave të sigurisë për të hapur zjarr ndaj turmave në Budapest dhe Salgotarjan në nëntor dhe dhjetor të 56-ës, ku rreth 50 persona mbetën të vrarë.

Top Channel