Festivali i Venecias, triumfon filmi “Pieta”

10/09/2012 00:00

Filmi koreano-jugor “Pieta” fitoi Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venecia. Me regji të Kim Ki-Duk, filmi rrëfente jetën e një fajdexhiu gjakpirës, i cili nisi t’i bëjë një retrospektivë jetës së tij, kur shfaqet një grua që pretendon të jetë e ëma.

Është një manifest i së mirës dhe së keqes që rikujton veprën “Pieta” të Mikelanxhelos. Duke marrë çmimin, 51-vjeçari Ki-Duk iu drejtua audiencës dhe jurisë me një këngë që më vonë shpjegoi se koreanët e këndonin kur ishin të vetmuar, por edhe në momentet e lumturisë.

“Realiteti është edhe më i dhunshëm dhe i pamëshirshëm, bota që ne nuk shohim, apo që themi se nuk ekziston. Është e vërtetë që njerëzit bëjnë tregti të organeve dhe jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë, jemi shkatërrimtarë për shkak të parave dhe kjo vlen për të gjithë botën. Ne po jetojmë një botë të mbushur me dhimbje”, u shpreh regjisori.

Cmimi për aktorin më të mire u nda mes Filip Sajmor Hofman dhe Hoakin Feniks për “the Master”. I frymëzuar nga themeluesi i “Shentologjisë” El Ron Habërd, filmi mori Luanin e Argjendtë për regjinë. “The Master”, me regji të Pol Tomas Anderson, tregon historinë e udhëheqësit të këtij sekti që merr në mbrojtje një veteran lufte.

Juria e Festivalit të Filmit të Venecias që drejtohej nga regjisori amerikan Majkëll Men zgjodhi izraeliten Hadas Jaron si aktoren më të mirë për filmin “Fill the Void” që rrëfente jetën e një komuniteti hebraik ultra-ortodoks dhe ndikimin e tij tek izraelitet.

Festivali i Venecias që shënoi 80-vjetorin këtë vit zgjati 11 ditë. Gjatë këtij evenimenti u shfaqën 60 filma, 50 prej të cilëve premiera botërore, ndërsa vetëm 18 konkurruan për “Luanin e Artë”, krahasuar me 23 vitin e kaluar.

Top Channel